Treg

“Baret dhe restorantet të zbrazëta, si xhepat e shqiptarëve”

Baret dhe restorantet gati gjysmë bosh në lagjen e ish-Bllokut të Tiranës janë ende lajm për pronarët e bizneseve që nuk po mësohen me këtë normalitet të ri.

Të gjendur përballë kostove gjithnjë e më të larta, ata ndihen të braktisur nga klientët në kulmin e sezonit turistik, prej të cilit veç kulm pohojnë që nuk po shohin.

Netët kur bizneset e tyre gëlonin nga klientët tashmë duken një realitet krejt i largët. Po aq të largëta janë për taksistët edhe rrugët që gjallonin plot me të rinj deri në orët e vona të mesnatës.

Një bar gati bosh në mbrëmje në ish-Bllok

Ardian Likollari, një prej tyre, thotë për Gazetasi.al që prej dy muajsh tashmë nuk merr më telefonata nga klientët e tij.

“Rritja e çmimeve po na ndëshkon shumë. Tani nuk dal më mbrëmjeve nëpër Tiranë sepse nuk ia vlen.Zor të gjesh të rinj të cilët kanë festuar dhe duan të kthehen vonë në shtëpi. Më përngjan e njëjta situatë me pandeminë. Pres ndonjë telefonatë nga klientët e mi të përhershëm por dhe ata më pohojnë se çmimet janë rritur shumë dhe zgjedhin të mos frekuentojnë më lokalet. Konsumi në bare dhe restorante është po aq i zbrazët, si xhepat e shqiptarëve ”, vijon ai për Gazetasi.al.

Të enjten mbrëma (14 korrik) në një nga lokalet kryesore të rrugicave të Bllokut, muzika që supozohej të niste në orën 21:00, nisi gati dy orë më vonë për shkak se pjesa më e madhe e tavolinave ishin ende të zbrazëta.

Shtrenjtimi i çmimeve që në fakt ka nisur që në gjysmën e dytë të vitit 2021, u përshpejtua në pjesën e parë të këtij viti, për të kulmuar në qershor.

Sipas të dhënave të INSTAT, çmimet në bare e restorante shënuan në qershor rritjen më të lartë në 15 vitet e fundit dhe sipas pronarëve të bizneseve, rritja e tyre do të vijojë për aq kohë sa nuk arrijnë dot të amortizojnë humbjet.

Ata pohojnë për Gazetasi.al se në momente që ka pasiguri në horizont, njerëzit janë të prirur të tkurrin shpenzimet e tyre dhe sjellja konsumatore kufizohet jo vetëm në klientelë por edhe në mendësi.

Rënia më e madhe e konsumit po vihet re nëpër restorante, aty ku rritja e çmimeve të lëndëve të para u reflektua shpejt, sipas Enri Jahaj, Kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve.

Enri Jahaj, Kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve

“Çmimet e produkteve ushqimore janë rritur deri në 40% dhe kryesisht vaji i cili përdoret gjerësisht në këtë sektor. Është e kuptueshme që konsumi do të ulet sepse njerëzit në situata të tilla priret të kursejnë. Sot blerësit shohin me vëmendje faturat e ushqimeve të tyre pasi ka rritje të secilit produkt”, thotë ai për Gazetasi.al duke shtuar se kjo do të jetë një tjetër goditje për sektorin e shërbimeve pas pandemisë e cila e uli ndjeshëm konsumin në këto struktura.

Jahaj thekson se sektori i shërbimeve është afër kolapsit duke llogaritur edhe mungesën e madhe të fuqisë punëtore dhe të gjithë rebelimin e punonjësve për të punuar jashtë Shqipërisë.

Njoftim i afishuar gjatë sezonit të verës nga një biznes

Kriza e punonjësve dhe “nazet” janë pjesë e rimëkëmbjes ekonomike post-pandemike në të gjithë botën, që erdhi shumë më ndryshe nga se ishim mësuar.

Në një anë kërkesa është rritur, tregjet e punës kanë pafund vende të lira dhe duan t’i mbushin ato. Nga ana tjetër oferta është lëkundur. Miliona njerëz nuk duan të punojnë ose nuk pranojnë të punojnë për pak. Përfshirë pagën dhe dinjitetin si punonjës. Një raport, që në terma të thjeshtë ekonomikë, do të nxisë më tepër rritjen e pagave deri sa tregu të stabilizohet ose do të detyrohet të stabilizohet për t’i shpëtuar një inflacioni dyshifror.

Mungesa e turistëve gjithashtu, sipas Jahaj, ka bërë të vetën.

“Këtë vit kanë ardhur më pak turistë që rrjedhimisht kanë ndikuar në uljen e konsumit. Ka më pak klientë në bare, kafene dhe restorante. Ata janë të detyruar të rrisin çmimet në mënyrë që të përballojnë kostot e tyre por abuzime nuk ka pasur”, thotë ai.

E njëjta situatë sipas tij po përsërit vetveten edhe në shtetet e tjera.

Në Italinë e famshme për kafen, përshembull, grosistët pohojnë se tashmë kjo është shdërruar në një biznes mbijetese.

Edhe në Shqipëri, Kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve pohoi para disa kohësh për Gazetasi.al se lokalet e vogla të lagjeve priret të shkojnë drejt falimentimit pasi nuk do ia dalin dot të mbulojnë kostot.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë