Politike

PD-PS bëhen bashkë në Uashington, Bardhi e Gjiknuri takim me zv.ndihmës sekretarin amerikan të shtetit

Nga Gazeta ‘Si’- Një delegacion parlamentar nga Shqipëria zhvilloi një vizitë në Departamentin Amerikan të Shtetit në SHBA.

Në këtë delegacion kanë qenë pjesë deputetët e PS-së, Damian Gjiknuri dhe Blerina Gjylameti, kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi dhe ambasadori shqiptar në Uashington, Ervin Bushati.

Ata zhvilluan një takim me të dërguarin për Ballkanin Perëndimor, Alexander “Sasha” Kasanof.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi me një postim në rrjetin social Facebook për këtë takim në DASH. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Bardhi thotë Shqipëria si vend i NATO-s duhet të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe të punojë me vendosmëri për t’u bërë pjesë e BE.

Një reagim e pati edhe deputeti i PS, Gjiknuri i cili shkruan se gjatë takimit është nënvizuar angazhimi i vazhdueshëm i SHBA-së në rajonin e Europës Juglindore, me fokus Ballkanin Perëndimor. Ai deklaron se SHBA vazhdon që të jetë mbështetësja kryesore e institucioneve shqiptare dhe nxitësja e integrimit të vendit tonë në BE.

“Nënvizuam rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit, kordinimit dhe ndërveprimit me SHBA-të si aleati më strategjik i Shqipërisë”, shkruan Gjiknuri.

Kjo është vizita e parë e një delegacioni shqiptar në Departamentin e Shtetit pas ndryshimeve në qeverisjen në SHBA dhe ardhjes në krye të Presidencës të Donald Trump dhe në DASH të Sekretarit të Shtetit Marco Rubio. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë