Politike

Bardhi takon raporteren e PE për Shqipërinë: PS të heqë dorë nga kontrolli i drejtësisë  

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi zhvilloi të mërkurën një takim me Isabel Santos, raportere për Shqipërinë në Parlamentin Europian.

Ai theksoi se ka informuar zyrtaren mbi përpjekjet e opozitës që Shqipëria të ketë një Parlament funksional.

Bardhi është shprehur se “moszbatimi nga Kuvendi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është minim i parimeve të shtetit ligjor dhe akti më brutal antikushtetues i ndodhur në 33 vite".

Sipas tij, "mazhoranca duhet të heq dorë nga tentativa për të kontrolluar politikisht institucionet e drejtësisë dhe nga çdo përpjekje për të ndërhyrë në punët e organeve të drejtësisë”

“Gjithashtu informova për bllokimin 2 vjeçar të Reformës Zgjedhore nga mazhoranca dhe nevojën që ka Shqipëria, si vend kandidat për anëtar të BE, që të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm. E sigurova se për opozitën përmbushja e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, garancitë për barazi të palëve në zgjedhje, dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, janë një prioritet jo vetëm i shpallur, por pikënisja e një reforme kuptimplotë zgjedhore, që duhet përmbyllur sa më parë në kohë.”, shkruan Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë