Politike

Bardhi: SPAK nuk ka zbuluar ende identitetin e personave të paidentifikuar në dosjen ‘Xibraka’

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një postim në rrjetet sociale thekson se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar ishte e paqartë në përgjigjen e saj mbi hetimin e kryer për dosjen “Xibraka”.

Duke iu përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili tha se Bardhi ndodhet në rrethanat e një kallëzimi të rremë dhe për këtë akuzë po punojnë avokatët, kreu i grupit parlamentar të PD-së deklaron se SPAK nuk e ka identifikuar ende personin e përfshirë në dosjen “Xibraka”, për të cilin Bardhi akuzon se është vëllai i kryeministrit Rama, Ols Rama.

“Sot mbeten shumë pyetje pa përgjigje që vërtetojnë që s’ka patur asnjë “hetim” të SPAK-ut për Ols Ramën! Vetëm një Prokurori ku, si rregull, anëtarët paracaktohen për t’i shërbyer pushtetit dhe jo për të zbatuar ligjin, mund të publikonte një njoftim aq qesharak dhe skandaloz me qëllim “shpëlarjen” e Ols Ramës nga dosja e Xibrakës, edhe pse vetë njofton se: Hetimi nuk ka përfunduar! Dosja nuk është mbyllur! Dosja është ripezulluar!”, shkruan Bardhi.

Sipas tij, “kjo ka ndodhur sepse prokurori i çështjes (i njëjti që gënjeu publikisht për ngjarjen e Elbasanit në 2021, se në makinën e ndaluar nuk ndodheshin materiale elektorale) “nuk ka identifikuar dot asnjë nga autorët e tjerë të veprave penale” që kanë mbetur të paidentifikuar prej 10 vitesh tashmë.”

“Por a identifikoi prokurori i Olsit se mes këtyre të paidentifikuarve gjendet apo jo Ols Rama? Si? Çfarë provash mblodhi për këtë? Cila është foto që shoqëron raportin e grupit të vëzhgimit lidhur me personin e “pa identifikuar të moshës 45 vjeç”? Pse nuk bëhet publike foto e raportit të grupit të vëzhgimit që qytetarët të ndihmojnë me informacione “për ta identifikuar”?

Deklarata e prokurorit nuk i jep përgjigje këtyre pyetjeve, që është edhe thelbi i kërkesës për SPAK-un. Megjithatë, Prokurori është kujdesur të thotë politikisht që Ols Rama nuk rezulton i përfshirë në veprimtari të paligjshme, sepse s’ka hetuar dhe për pasojë nuk ka prova. Hetimi bëhet ekzaktësisht për të grumbulluar provat, bazuar në indicet që prokuroria i ka patur të plota dhe të pakontestueshme”, shkruan Bardhi.

“Kur prokurori nuk ka arritur të zbulojë identitetin e personave të paidentifikuar, si ka arritur në konkluzionin se vëllai i kryeministrit nuk ka qenë i përfshirë në aktivitet kriminal?! Si ka përfunduar hetimet, siç thotë në fjalinë e parë, ndërkohë që në fakt ka vendosur pezullimin e hetimeve, pra s’ka përfunduar asnjë hetim?!”, vijon Bardhi.

“Një përfundim të tillë prokurori mund të arrinte vetëm, nëse do të zbulonte se personi i paidentifikuar, për të cilin flet dosja e vetë prokurorisë, nuk është Olsi, por është Filan Fisteku.  Arsyetimi “ne nuk e dimë kush është, por vëmë dorën në zjarr që s’është Olsi”,  nuk është thjesht dëshmi e paaftësisë profesionale.

Personalisht për këtë kam qenë i qartë që ditën e parë, edhe pse, në përmbushje të funksioneve të mia si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i kam dhënë mundësi SPAK-ut të provojë para shqiptarëve se është një organ i pavarur dhe i pandikueshëm nga qeveria. Unë i kuptoj, janë të pafuqishëm, ndjehen të intimiduar nga Edi Rama, por nuk kanë asnjë arsye të bëhen qesharak!

Në reagimin e tij, Bardhi parashtron shtatë pyetje drejtuar prokurorisë dhe kryeministrit Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë