Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me eksportin e mbetjeve toksike të nisura nga porti i Durrësit në drejtim të Tajlandës.
Sipas Bardhit, rikthimi i këtyre mbetjeve në portin e Durrësit është jnë rrezik i madh për sigurinë kombëtare të Shqipërisë.
Reagimi i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi:
Prej disa ditësh mediat ndërkombëtare kanë raportuar të paktën dy raste të eksporteve nga Shqipëria (në Kinë dhe Tajlandë) të mijëra ton mbetje të rrezikshme dhe institucionet shqiptare heshtin!
Ministria e Infrastrukturës, Porti i Durrësit, Ministria e Mjedisit, Drejtoria e Doganave, Policia e Shtetit, Prokuroria, askush nuk ka asnjë reagim zyrtar se kujt i përkasin këto mbetje të rrezikshme, si janë krijuar apo kanë mbërritur në Shqipëri.
Vetëm dje në disa media shqiptare u shpërnda një reagim (pa zë dhe figurë) i Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit që deklaronte publikisht se mbetjet e rrezikshme që janë nisur nga Shqipëria dhe janë bllokuar në Tajlandë i përkasin kompanisë ‘Kurum International’. Sot kompania ‘Kurum International’ në një reagim publik ka mohuar se kjo ngarkesë me mbetje të rrezikshme i përket asaj apo është nisur prej saj.
Në këtë rast ka vetëm një të vërtetë. Ose Ministria e Mjedisit ka gënjyer për të mbrojtur trafikantët e vërtetë të materialeve të rrezikshme, dhe në këtë rast ky është një krim shtetëror, që duhet të marrë ndëshkimin shembullor; ose kompania ‘Kurum International’ ka gënjyer për të mbuluar shkeljen e ligjit prej saj dhe kjo duhet të shoqërohet menjëherë me masa të forta ndëshkimi nga institucionet përgjegjëse. Heshtja apo mosveprimi i institucioneve pas përgënjeshtrimit publik nga ana e kompanisë ‘Kurum International’, ngre hije të forta dyshimi për një tentativë shtetërore për të manipuluar rrethanat e kësaj çështje me impakt kombëtar dhe ndërkombëtar.
Rikthimi në Portin e Durrësit të kësaj sasie të jashtëzakonshme mbetjesh të rrezikshme është një cënim i rëndë i sigurisë kombëtare, që krijon një situatë të paprecedentë të rrezikut permanent ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Depozitimi pa destinacion i një sasie kaq të madhe të mbetjeve të rrezikshme në territorin shqiptar, do të ishte një kërcënim i pamasë ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve shqiptarë.
Duhet menjëherë dhe pa asnjë vonesë që Qeveria Shqiptare të informojë Kuvendin e Shqipërisë dhe opinionin publik se për çfarë bëhet fjalë, kujt i përkasin mbetjet e rrezikshme, si janë krijuar apo kanë mbërritur në Shqipëri, si janë lejuar të eksportohen pa lejet përkatëse nga Porti i Durrësit, kush i ka lejuar të futen dhe të dalin prej territorit të Republikës së Shqipërisë, nga dhe përmes Portit të Durrësit. Heshtja, dezinformimi apo tentativa për manipulim shton edhe më shumë pasigurinë për jetën e qytetarëve shqiptarë dhe mbi të gjitha dyshimet për një aktivitet kriminal me leje shtetërore, që rrezikon sigurinë kombëtare të një vendi anëtar të NATO-s.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike menjëherë me nisjen e sesionit të ri parlamentar do të përdor të gjitha mekanizmat e kontrollit parlamentar për zbardhjen e plotë të kësaj çështje, duke siguruar qytetarët shqiptarë se nuk do të lejojë në asnjë rast, që për shkak të një qeverisje kriminale dhe të papërgjegjshme të Edi Ramës, Shqipëria të jetë në një rrezik permanent për shkak të sasive të konsiderueshme të mbetjeve të rrezikshme brenda territorit shqiptar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.