Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, denoncoi sot mazhorancën se ka rrëzuar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve kërkesën e opozitës për mocion me debat në seancën e radhës në Kuvend.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se sipas tij po përpiqet që t’i mbyllë gojën opozitës dhe ta kthejë Parlamentin në një memec, siç ka grupin e tij parlamentar të PS, por tha se PD do shfrytëzojë çdo mekanizëm ligjor që parashikon edhe rregullorja për kërkesat e saj.
“Kërkesa e PD për mocion për debat ishte në përputhje me rregulloren, por mazhoranca e rrëzoi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Rama do një opozitë pa gojë që të mos flasë, e do parlamentin memec, pa mendje, ashtu siç ka edhe grupin e vetë parlamentar. Rama doli zbuluar, e do parlamentin memec”, u shpreh Bardhi mes të tjerash, në një konferencë për mediat, që mbajti nga Kryesia e Kuvendit ditën e sotme.
Ai tha se opozita do vijojë betejën e saj parlamentare dhe përsëriti thirrjen që në seancë të realizohej mocioni për debat.
“Mazhoranca s’ka as program, as prioritet dhe as arritje. Mazhoranca vendosi që në Kuvend të mos ketë debat. Grupi parlamentar i PD nuk do të ndalet do shfrytëzojë çdo mekanizëm parlamentar”, theksoi deputeti demokrat.
Në fund ai trajoi edhe çështjen e rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Madje u shpreh se mazhoranca prej 4 vitesh mban në sirtar kërkesën e tyre, duke mos e futur në seancë, që Shqipëria të kishte qëndrim të unifikuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




