Nga Gazeta 'SI' - Diskutimet në Kuvend mbi buxhetin e vitit 2025 kanë vazhduar me përplasje, ku deputetët e opozitës penguan ministrin e Financave, Petrit Malaj të mbante fjalën e tij në foltore. Ministri u rrethua nga garda e Republikës, ndërsa kryetarja e Kuvendit u kërkoi të largoheshin.
Deputeti Gazment Bardhi tha në Kuvend se në buxhetin e vitit 2025, nuk ka asnjë fond të parashikuar për rritjen e pensioneve, por qeveria do të presë nëse “tepron ndonjë lekë nga rrugët”. Drejtuar ministrit Malaj, Bardhi pyeti se si do të ndikojë buxhetin e shtetit, pagesa për gjyqin me Becchetti-n.
Në përgjigje të pyetjeve të Bardhit, Malaj theksoi se buxheti për pensionistët do të varet nga ecuria e ekonomisë përgjatë vitit dhe do të alokohen në llogarinë që do të hapet pranë Bankës së Shqipërisë.
Për gjyqin e Becchetti-t, Malaj tha se çështja është ende në shqyrtim dhe se përmbaruesit por presin pretendimet e qeverisë shqiptare. Malaj shtoi se për çështjet gjyqësore, buxheti ka “fonde rezervë”.
“Realizimi i investimeve është proces dinamik ndryshon dita-ditës, tani që flasim investimet e realizuara janë mbi 70%. Për nismën e minimumit jetik, propozimi ishte i paplotë nga ana juaj. Mblidhuni dhe bëni një tjetër”, tha ministri i Financës.
Në fjalën e saj, deputetja Jorida Tabaku pyeti ministrin se pse qeveria nuk mbajti premtimin e rritjes së pensioneve me 5% çdo vit.
“A keni dijeni se ligji i pronave ka dështuar, fondi nuk zbatohet çdo vit, sepse qytetarët refuzojnë të heqin dorë nga prona dhe të marrin vetëm 20% të saj. BSH deklaroi se 45% e rënies së borxhit vjen si rezultat i rënies së euros, pra rënia po shkakton dëme në ekonomi dhe rënien fiktive të borxhit. 14.3% rënie tragjike të eksporteve në 10 mujor, për mua kjo nuk ishte çudi. Cilat janë masat e qeverisë? Na duhet një model ekonomik që të mbrojë produktet shqiptare”, përfundoi Tabaku.
Përgjigjaa e ministrit Malaj ishte një ripërsëritje e fjalimeve të mëhershme të tij.
“Për borxhin, efekti i kursit të këmbimit është 0.4% në uljen e borxhit. Në prj.buxhet janë shënuar 5.6 mld lekë në formë granti për të mëbshtetur Start Up-et, ndërmarrjet e mesme, formimit profesional dhe fermerëve. Këto janë nisma që do të ndihmojnë ndërmarrje shqiptare për t’i bërë më konkurruese”, përfundoi ministri.
Deputetja Ina Zhupa, e cila ngriti shqetësimin e mosmiratimit të minimumit jetik.
“Deri në shtator, ka pasur 700 mln euro tepricë buxheti i shtetit, pse nuk u realizuan investimet kapitale? Ofertës monetare i mungojnë 70 mld lekë. Edhe pse PBB-ja rritet, mirëqenia e shqiptarëve jo. Fuqia blerëse e shqiptarëve është më e ulëta. Për minimumin jetik, ju deklaroni se nuk ka studime, a e dini që ka studime të Avokatit të Popullit dhe INSTAT?”, deklaroi Zhupa.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se buxheti i vitit 2025 është tepër i rëndësishëm pasi do të jetësojë projekte ambicioze në infrastrukturë.
Në fjalën e saj në Kuvend, Balluku u shpreh se këto projekte do të sjellin një ekonomi të qëndrueshme.
“Tashmë, ne jemi në fazën e re të implementimit të projekteve strategjike. Këto projekte zhvillimore janë të mirëhartuara, të ndërlidhura me njëri-tjetrin. Korridori 8 dhe korridori blu, me një mbështetje, nuk janë thjesht autostrada të shpejtësisë së lartë, por edhe lidhëse. Kemi zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, parashikohet ndërtimi i segmentit nga Bypass i Elbasanit në Lekaj të Rrogozhinës. Pjesë e këtij buxheti është edhe Bypass i Elbasanit, ashtu siç është edhe Bypass i Tiranës. Pjesë e korridorit 8 janë edhe linjat e intekonjeksionit. Së shpejti do të çelim garën për aksin Milot-Balldren, kemi duke përfunduar negociatat për 3 akse të tjera”, theksoi ajo
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.