Politike

Bardhi: Mazhoranca ka uzurpuar 100% të axhendës së kuvendit!

Nga Gazeta ‘Si’- Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakordësi mbi kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e mocionit me debat mbi mungesën e caktimit të minimumit jetik.

Në Konferencën e Kryetarëve u mor në shqyrtim kërkesa e një grupi deputetësh të grupit parlamentar të PD-së, të cilët kërkonin zhvillimin e mocionit me debat mbi mungesën e caktimit të minimumit jetik si dhe hapat konkrete që janë ndërmarrë për miratimin e minimumit jetik në Shqipëri.

Për sa i përket kësaj kërkese, palët nuk patën mirëkuptim për zhvillimin e saj dhe çështjet i kaluan seancës plenare.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën se sipas tij ka uzurpuar plotësisht axhendën e Kuvendit.

Bardhi deklaroi në Konferencën e Kryetarëve se në rend dite përfshihen vetëm nisma të qeverisë dhe asnjë propozim deputetësh, duke e cilësuar këtë praktikë si të papranueshme në një vend demokratik.

Bardhi kritikoi gjithashtu mënyrën e shpërndarjes së fondeve, të cilat sipas tij nuk shkojnë te qytetarët në nevojë, por shërbejnë për abuzime dhe vjedhje.

Nuk ndodh në asnjë vend demokratik që axhendën e Kuvendit ta caktojë 100% qeveria. Në axhendë ka vetëm nisma të qeverisë dhe asnjë nismë deputetësh. U tha këtu që kanë ardhur më shumë kërkesa për debat sesa në 4 vite bashkë. Pse, kush ju pyet ju? Ju e përcaktoni këtë. Na u tha këtu se po jepen 1.8 miliardë euro në muaj. I bie 36 mijë lekë të vjetra për familje në nevojë. Po jeton dot Taulanti me 36 mijë lekë në muaj? Jo, nuk jeton.

Na u tha se “buxheti më i madh”, por ky është buxhet për vjedhje, nuk shkon te qytetarët.

Opozita nuk mund të jetë fasadë këtu. Po kërkoni opozitë fasadë. Dhe kjo, Kryetar, është çështje e jotja. Duhet të merrni masa për të respektuar të drejtat e opozitës, ndryshe opozita nuk ka çfarë të bëjë këtu. Ne nuk jemi fasadë”, tha Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë