Politike

Bardhi kërkon zbatimin e statutit, Tabaku apo sërish Alibeaj në krye të PD?

Pas rezultatit tejet zhgënjyes në Partinë Demokratike ka nisur lëvizjet e menjëhershme. Enkelejd Alibeajt ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike, si kryetar i komanduar, por edhe si kryetar i grupit parlamentar i PD-së.
Tani PD zyrtare nuk ka një kryetar të zgjedhur tranzitor. Ky largim ka vënë menjëherë sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, i cili ka njoftuar se ka kërkuar një takim urgjent me nënkryetaren Jorida Tabaku. Qëllimi është vlerësimi për zbatimin e nenit 46 të statutit për këtë periudhë tranzitore.
“Sipas nenit 46 te Statutit në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri”, deklaron Bardhi.
Ndërkohë që të premten është njoftuar edhe një mbledhje e Kryesisë së PD-së, ku do të diksutohet mbi zhvillimet brenda partisë, si dhe për rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit. Ndërkohë që Alibeaj edhe pse ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Partisë, nuk është larguar nga posti i nënkryetarit. Pra hipotetikisht nuk përjashtohet mundësia që Alibeajt ti besohej sërish drejtimi i PD nga Këshilli Kombëtar. Pasi stauti nuk ia mohon këtë të drejtë dhe do të jetë pikërisht që do ta vendosë kujt do t’ia japë drejtimin Tabakut apo sërish Alibeajt?
Tabaku në zgjedhjet e 14 majit nuk ka qenë angazhuar në fushatë, duke mbajtur një pozicion asnjanjës. Në një status të kohëve të fundit, Tabaku shprehej se “në çdo kuti votimi nga Vermoshi në Konispol, mesazhi i shqiptarëve dhe demokratëve është i qartë; Ne duhet të pranojmë gabimet tona duke e përdorur krenarinë tonë për të ndërtuar një PD ndryshe dhe jo për të mohuar faktet!”.
“Koha dhe humbjet e njepasnjëshme kanë treguar që denoncimet pa reflektim janë kthyer në bumerang elektoral. Prandaj A-ja është bashkimi me një analizë se përse mbjellja e urrejtjes mes demokrateve nuk mbjell dot shpresën tek shqiptarët po dëshpërimin! PD duhet të ringrihet nga hiri dhe duhet të jetë alternativë për shqiptarët. Nuk mund të jemi bojkoti i shqiptarëve kur mund të jemi lehtësisht alternativa e një shumice!”, do të reagonte Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë