Politike

Bardhi: Kemi nevojë për bashkim. Basha të reflektojë, të heqë dorë nga ligje që do ia kishte zili vetë Rama

Kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, tha se opozita ka nevojë për bashkim dhe koalicion të gjerë politik.

Bardhi, në domosdoshmërinë e bashkimit, përfshiu edhe Bashën edhe pse i kujtoi këtij të fundit se po propozon ligje që do t’i kishte zili vetë Rama referuar ndryshimit që Basha ka kërkuar në Kodin Penal për dënimin me dy vjet të çdo deputeti që shpif

“Opozita ka nevojë për një koalicion të gjerë politik opozitar që të ketë brenda çdo faktor opozitar dhe gjithë aksioni i opozitës të jetë i koordinuar nga një trupë ku përfaqësohen të gjitha partitë politike opozitare. Edhe në këtë drejtim është duke u punuar.

Zoti Basha dhe cilido prej kolegëve nëse e çmojnë veten në opozitë, kanë detyrimin të jenë së bashku me ne kur ne bëjmë betejë për komisione, reformën zgjedhore, apo kur bëjmë betejë që bashkërisht kemi propozuar në Kuvend.

Mungesa e tyre kur ne jemi në aksion për të drejta kushtetuese të opozitës, apo propozimi i një ligji që do ta kishte zili edhe Edi Rama (dënimi i shpifjes) në vend që të jetë krah deputetëve të opozitës kur ne denoncojmë, propozon ligj që deputetët e opozitës të dënohen me dy vite. Uroj që në 2024 t’i përgjigjet atij mandati opozitar që ka marrë si përfaqësues i popullit opozitar”, tha Bardhi.

Ai tha gjithashtu se nuk ka për të pasur normalitet në Kuvend.

“Nuk ka për të pasur normalitet të punës në Kuvend. Sepse normaliteti nënkupton që mazhoranca të kryejë detyrën e saj pa penguar opozitën të kryejë përgjegjësitë e veta kushtetuese. Nuk besoj që mungesa e Berishës do ta pengojë, por mungesa e Berishës dhe çdo deputeti të opozitës në aksion ka rëndësinë e vet. Do ta vlerësojmë në mbledhjen e grupit parlamentar nëse sjellja jonë do të jetë e njëjtë, pra për të pamundësuar seancat normale, apo a do të kalohet në hapa të tjerë përshkallëzues të aksionit të opozitës”, pohoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë