Politike

Bardhi i përgjigjet Ramës: Po i bën presion SPAK për pafajësinë e Olsit. Stil mafioz!

Nga Gazeta ‘SI’ – Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi reagoi sot pas ‘bastit’ që kryeministri Edi Rama vendosi për pafajësinë e vëllait të tij, Olsi Rama.

Kryeministri tha në rrjetet sociale se ka kohë që pret drejtësi nga SPAK dhe u zotua se nëse vëllai i tij del fajtor, tërhiqet nga politika.

Por, kjo për Gazment Bardhin ishte shantazh ndaj SPAK që të shpallë të pafajshëm Olsi Ramën dhe u dha në një mënrë “mafioze”.

Në reagimin e tij, deputeti demokrat rikujton se kryeministrit nuk iu dëshën ‘kushte’ kur pranoi interpelancën për mbetjet toksike, por këtë here po fshihet pas vëllait të tij të vogël sepse është ‘frikësuar’.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

Në përgjigje të interesit të medias lidhur me një qëndrim të Edi Ramës sot ndaj meje, ju bëj me dije sa më poshtë:

Nuk kam reaguar ndaj qëndrimit të Edi Ramës, sepse qartësisht qëndrimi i tij gjoja më drejtohej mua, por në të vërtetë ishte një mesazh i qartë dhe i pastër shantazhi ndaj SPAK që të mbyll hetimet ndaj Olsi Ramës dhe Dosjes “Xibraka”, sepse vijimi i hetimeve dhe zbulimi deri në fund i të vërtetës, i rrezikon Edi Ramës karrigen e Kryeministrit, sepse ai do të detyrohej të largohej nga politika!

Mesazhi i pastër kriminal e shantazhues ndaj SPAK nuk mund të përcillet kurrë duke bërë gjoja replikë publike me mua dhe as nuk mund të fshihet duke u përfshirë unë në një replikë pa sens e jashtë kohe, të sajuar nga hiçi dhe me shkaqe të inskenuara.

A nuk ishte po ky Edi Rama që hyri me sy, por doli me faqe të zezë, përpara disa muajve kur ishte në interpelancë për mbetjet toksike me denoncuesin e Olsit, pra me mua, me të njëjtin? Pse atëherë mendonte se kishte edhe sy edhe faqe për të ardhur në interpelancë, ndërsa sot ka humbur sytë dhe faqen?

Asokohe nuk ishte “kusht mbi Kushtetutën” as vëllai Ols dhe as përfundimi i hetimeve ndaj vëllait Ols nga SPAK. Vallë çfarë ndryshoi sot? Pse u kujtua beftë për vëlla Olsin dhe SPAK-un? Pse u kujtua që i rrezikohet pushteti nëse vijojnë hetimet e zbulohet e vërteta që u tentua të varrosej në 2018? Çfarë e pickoi sot Edi Ramën për këtë çështje? Pse ka frikë Edi Rama nga hetimi, dhe kërkon mbylljen e shpejtë të çështjes, përpara se të humbi zgjedhjet e Majit 2025?

E di që Edi Rama nuk e ka për gjë të grisë Kushtetutën dhe Ligjin për pushtetin e tij personal. E di shumë mirë që do të gjejë çdo justifikim për të mos u përballur në Parlament me krimin e vjedhjes që u ka bërë shqiptarëve. E di shumë mirë që edhe mesazhet politike i jep sipas stilit mafioz. E di që po bën çmos të shantazhojë edhe SPAK-un që t’i mbyllë hetimet për Olsin dhe kokainën e Xibrakës. Ajo që s’kisha parashikuar ishte që të fshihej pas të vëllait të vogël për të mos ardhur në Parlament.

Të keqpërdorësh familjen për të mos dhënë llogari para shqiptarëve, do të thotë të jesh në pozicion shumë të sikletshëm. Dhe e kuptoj që fshihet pas Olsit! Sa më shumë zbardhen kodet pin në SKY/ECC, por shumë shpejt edhe këto të rejat në MATRIX, aq më shumë do të fshihet Edi Rama!

Le të fshihet në rrjetet sociale sa të dojë, të bëjë teatër sa të dojë, të inskenojë reagime nga hiçi për të përcjellë mesazhe publike kriminale për SPAK sa të dojë, e sigurojë se, me SPAK apo pa SPAK, largimin nga politika do ta ketë me turp, të shpejtë, dhe ashtu siç e meriton një frikacak që i fshihet Kuvendit, një bashkëpunëtor i bandave që ka torturuar, vjedhur e varfëruar bashkëqytetarët e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë