Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi reagoi në Facebook lidhur me qëndrimet e Sali Berishës i cili bëri fajtor atë dhe Bashën për reformën zgjedhore përmes një konference për shtyp dhe tha se deputetët Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi bën opozitë të fortë kur PD bojkotoi Kuvendin.
“Rudina Hajdari dhe Myslym Murrizi nuk dëmtuan interesin e PD’. Gënjeshtër. Sali Berisha e di shumë mirë që po mashtron demokratët. Rudina Hajdari dhe Myslym Murrizi ishin deputetët që bashkuan votat me Edi Ramën për të hequr koalicionet, për të prishur marrëveshjen e 5 qershorit, duke i hequr fitoren PD dhe duke i dhuruar Edi Ramës mandatin e tretë.
Gënjeshtra e dytë
‘Komisioni Hetimor për masakrën zgjedhore u shua, sepse u kërkua hetimi i ngjarjes së Elbasanit’. GËNJESHTËR! Dokumentet parlamentare provojnë se Komisioni Hetimor u bllokua nga Partia Socialiste. Edi Rama rrëzoi planin e hetimit duke bllokuar punën e Komisionit dhe duke mos lejuar zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit.
Ngjarja e Elbasanit padyshim që është një ngjarje e rëndë, sa kohë një qytetar mbeti i vrarë dhe disa të tjerë u plagosën. Ajo ngjarje po hetohet nga drejtësia dhe unë kam qenë dhe mbetem i vendosur që ajo ngjarje të hetohet plotësisht, me paanësi dhe profesionalizëm”, shkruan Bardhi duke ashpërsuar gjuhën ndaj Berishës.
“Ngjarja e Elbasanit nuk është ngjarja e Gerdecit, ku mbetën të vrarë 26 qytetarë, nga babëzia e familjarëve të Sali Berishës për të nxjerrë para të pista nga kudo. Ngjarja e Elbasanit ishte pasojë e një beteje të pabarabartë mes demokratëve që luftonin për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dhe bandave të Edi Ramës që terrorizonin qytetarët për të vjedhur zgjedhjet. Koha i dha të drejtë Partisë Demokratike, se në Elbasan krimi i organizuar ishte përfshirë në fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste dhe po blinte vota për llogari të pushtetit të Edi Ramës.
Pas heshtjes së Sali Berishës për konstatimin e SHBA se krimi i organizuar kishte blerë vota për llogari të Edi Ramës në qarkun Elbasan dhe Tiranë, akti i sotëm i marrjes në mbrojtje të bandave të Elbasanit, duke amnistuar Taulant Ballën e Edi Ramën dhe përgjegjësinë e tyre në ngjarjen e Elbasanit, është prova e qartë se Sali Berisha i ka shpallur luftë demokratëve, jo bandës në pushtet…”, shkruan ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



