Politike

Bardhi: Dialogu, mjet i duhur vetëm për vendet demokratike! Nga protesta e aktet simbolike nuk rrezikohet jeta e askujt

Pas deklaratave të ndërkombëtarëve nga BE dhe SHBA, që dënonin dhunën dhe kaosin e shkaktuar nga deputetët e opozitës një ditë më parë në Parlament, ka ardhur edhe reagimi i kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ai shprehet se “dialogu është mjet për vendet demokratike”, duke theksuar se në Shqipëri kjo është e pamundur, pasi “Kuvendi nuk zbaton vendimet e Kushtetueses”.

“Nga aktet simbolike dhe protestat nuk i rrezikohet jeta askujt, përveçse pushteti personal i Edi Ramës”, thotë ndër të tjera Bardhi.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

“Nuk ka akt më antidemokratik sesa tentativa për të zhbërë opozitën. Nuk ka akt më brutal dhe të dhunshëm sesa të burgosesh për fjalën e lirë.

Nuk ka autoritarizëm më të madh sesa të injorosh vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të refuzosh të dorëzosh para drejtësisë një deputet të mazhorancës.

Nuk ka veprim më të dhunshëm sesa të marrësh hapur autorësinë e vendimeve politike të gjykatave që burgosin opozitën dhe të kërcënosh me fjalor rruge këdo që guxon të denoncojë lidhjet e Edi Ramës me krimin e organizuar.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe çdo qytetar i ndershëm në këtë vend, është thellësisht i shqetësuar për shkatërrimin e balancës mes pushteteve, asgjësimit të parimeve demokratike, shantazhit dhe dhunës ndaj opozitës e qytetarëve, rikthimit të metodave të Sigurimit të Shtetit për përndjekjen kundër opozitës dhe qytetarëve, apo ngritjes në majat e pushtetit të krimit të organizuar.

Dialogu është mjet i duhur në vende demokratike, ku mosmarrëveshjet zgjidhen në rrugë institucionale. Por një vend, ku shumica në Parlament injoron vendimet e Gjykatës Kushtetuese kur ato janë në favor të opozitës, nuk është as demokratik dhe as krijon mundësinë për ndjekjen e rrugëve institucionale.

Nga protesta apo aktet simbolike nuk i rrezikohet jeta askujt, përveçse rrezikohet pushteti personal i Edi Ramës! Nga përballja me krimin e organizuar dhe qeverisjen e kriminalizuar të lidhur me të, që është mision i çdo deputeti që mbron interesin publik, i rrezikohet jeta e prona kujtdo, çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë.

Për këtë arsye, reagimi, rezistenca dhe mosnënshtrimi është e vetmja formë që i mbetet opozitës për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin ligjor. Me keqardhje rikonfirmoj se e kemi të pamundur t’i nënshtrohemi dhunës së Edi Ramës, të lejojmë asgjësimin e çdo grimce lirie në këtë vend apo të pranojmë në heshtje instalimin e shtetit të tij personal”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë