Nga Gazeta ‘Si’- Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve u shqyrtua edhe projektvendimi i propozuar nga Partia Demokratike për një ndryshim në Rregulloren e Kuvendit, ku çdo deputet të deklarojë nëse ka përdorur aplikacionet e koduara “Sky ECC” dhe “Encro chat”.
Kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike Gazment Bardhi tha se deputetët duhet ta nisin nga vetja për të bërë transparencë.
“Nuk po them se deputetet e kanë përdorur për krime. Mund ta kenë përdorur për arsye private të jetës së tyre. Por secili prej nesh do duhet të deklarojë e ka përdorur apo jo platformën e SKY ECC. Kjo është e gjitha. Kush nuk ka asgjë për të fshehur nuk ka pse të frikësohet. Për sa kohë, ne ia kemi vënë detyrim funksionareve të tjerë të shtetit do duhet ta nisim nga vetja. Kjo është e ndershme. Sa kohë detyrojmë një funksionar policie që paguhet me 600 mijë lekë të vjetra ne do duhet të nisim ne nga vetja. Ky është standard moral”, tha Bardhi.
Ndërkohë, nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi tha se ky propozim duhet shqyrtuar në një grup më të gjerë pune dhe të mos bëhet retorikë apo populizëm për interesa politike të ditës.
“Doja të shprehja qëndrimin e grupit tonë parlamentar, pavarësisht nga çfarë mendoj unë se si ruhet integriteti i deputetit. Nga pikëpamja proceduriale këtë duhet ta shqyrtojmë edhe në një grup pune sepse janë disa çështje proceduriale që duhen parë.
A është kjo çështje e Rregullores së Kuvendit apo jo? A duhet të merret Rregullorja vetëm me një aplikacion se janë disa të tilla? A e afekton kjo Kodin Penal apo jo? Pra, janë disa çështje që duhen shqyrtuar. Le ta shqyrtojë një grup profesionistësh këtë çështje nëse afekton apo jo Kodin Penal.
Mund ta përfshijmë te formulari i vetëdeklarimit përpara kandidimit apo mund të përfshijmë ndoshta dhe kryetarët e bashkive apo njerëzit e sistemit të drejtësisë. Unë personalisht nuk e mendoj kështu, megjithatë le ta bashkojmë me ndryshimet e tjera të Rregullores dhe ta shohim më gjerë ketë çështje. Mënyrën si e keni shkruar këtu propozimin nuk qëndron nga ana kushtetuese. Nëse duam vërtet një gjë që të adresojë çështjen e pasërtisë së figurës së deputetit, duhet ta bëjmë tamam, jo për populizëm “, tha Çuçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.