“Nuk e di cfarë po ndodh me El Clásico-n por së fundi ka qënë e dhimbshme për ne” – deklaronte Carlo Ancelotti përpara mbrëmjes në Jeddah. 35 gola në 10 ndeshjet e fundit mes dy rivalësh historikë që shtuan 7 të tjerë në Finalën e “Superkupës” së Spanjës. E vetmja gje që “prishi” festën mund të jetë vendi jo i duhur. Barcelona kishte shënuar 4 herë ndaj Real Madrid në “Santiago Bernabéu” Tetorin e shkuar ndërsa mbrëmë u përmirësua më tej në fitoren 5-2 por me një ndryshim, 5000 km më tej në Jeddah.
Një sfidë që përfundoi me 3 portierë (për shkak të kartonit të kuq të Szczesny-t) përpara se kapiteni i dëmtuar Marc Andre ter Stegen (portieri i katërt) të ngrinte trofeun e 15. Rekord për Barcelonën që ndiqet nga Real Madrid me dy më pak, pas tentativës së dështuar të “Los Blancos” për të kapur “Blaugranat” në këtë kompeticion. Skuadra e Hansi Flick ishte më e mira që nga minuta e parë, aq sa edhe kartonit i kuq nuk u ndje aspak.
I palodhur kapiteni i dytë Raphinha (deri në momentin që u zëvendësua për dëmtim), i jashtëzakonshëm Lamine Yamal për driblimin e cdo kundërshtari dhe spektakolar Pedri për ngritjen e lojës në një tjeter nivel duke dominuar për 60 minuta përpara se administrimi të zinte vend. Kur Mbappe shënoi në portën e Szczesny-t, kishin kaluar vetëm 10 sekonda nga goditja e këndit për Barcelonën dhe 43” të tjera nga ndërhyrja e Thibaut Courtois që evitoi dy gola të sigurtë.
Kaq për madrilenët në pjesën e parë që në të dytën goditën fillimisht shtyllën me Rodrigo-n dhe më pas shkurtuan diferencën me të njëjtin lojtarë në goditjen e dënimit të fituar nga Mbappe që u shoqërua me kartonin e kuq të portierit katalanas. Barazimi i kuqebluve me Yamal ishte një leksion pas kombinimit me Lewandowski-n. Avantazhi nga pika e bardhë pas faullit të Camavinga’s i la vendin krosimit Kounde dhe golit spektakolar të Raphinha-s në ajër.
Ishte braziliani që pas kombinimit me Yamal e la topin për Balde të shënonte pokerin përpara pushimit. Në pjesën e dytë sërish kapiteni Raphinha pas një veprimi personal në hyrje të zonës do të siglonte “manita-n”. Jude Bellingham ishte inekzistent ndërsa Antonio Rüdiger gjatë tërë kohës i nervozuar si kompensim i pamundësisë për të ndalur inkursionet e kundërshtarit.
Trofe në Superkupën e Spanjës:
Barcelona 15
Real Madrid 13
Athletic Bilbao 3
Deportivo La Coruna 3
Atletico Madrid 2
Valencia 1
Sevilla 1
Zaragoza 1
Mallorca 1
Sociedad 1
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.