El Mundo raporton se policia katalanase beson se ka prova të mjaftueshme për të akuzuar presidentin e Barcelonës Josep Maria Bartomeu për korrupsion. Akuzat lidhen me çështjen e cila është bërë e njohur si ‘Barçagate’ dhe pretendimet se presidenti i klubit ka përfituar financiarisht nga marrëveshjet e bëra në emër të klubit.
Historia e ‘Barçagate’ doli në skenë këtë vit dhe ka të bëjë me dokumentet e raportuara që thuhej se tregonin punën e brendshme dhe transaksionet financiare të klubit, të cilat shkaktuan furtunë në mediat spanjolle. Radio “Cadena Ser” ka denoncuar lidhjen mes Barcelonës dhe kompanisë “I3 Ventures”. Sipas saj, klubi spanjoll i ka paguar 1 milionë euro me 6 këste kësaj kompanie për të krijuar dhe administruar profile në rrjetet sociale për të diskretituar dhe hedhur baltë mbi Mesin dhe bashkëshorten e tij Antonela, Pikenë, Ksavin, Guardiolën dhe presidentin e “Mediapro Roures”, ish-presidentin katalanas Puigdemont.

Klubi i Barcelonës është mbrojtur me një komunikatë, ku saktëson se ka një bashkëpunim me “I3 Ventures”, por vetëm për të monitoruar fluksin e mesazheve në rrjetin e klubit dhe se nuk kishte asnjë pikë në kontratë për profilet e cituara nga “Cadena Ser”. Por tani mendohet se Bartomeu ka paguar një vlerë gjashtë herë më të lartë se vlera e tregut dhe arsyeja e këtij vendimi po hetohet nga autoritetet. Nuk dihet ende se cilat do të jenë pasojat e mundshme të këtyre akuzave për Bartomeu, por është një tjetër incident dramatik në një verë dramatike për Barcelonën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




