Futboll

Barçagate/ Dokumente të reja inkriminojnë Laportën me kërkesa të tjera pagesash

Gazeta Si – El Mundo publikon një dokument të dërguar Barcelonës në dhjetor të 2018-ës nga avokati i ish-zëvendëspresidentit të arbitrave, me anë të të cilit kërkon 300 mijë euro.

Një javë pas shpërthimit të skandalit Barçagate, zbulohen të tjera dokumente që kompromentojnë më shumë pozicionin e klubit katalanas dhe presidentit Joan Laporta. E përditshmja politike madrilène, El Mundo, vazhdon të ketë akses te dokumentet e rezervuara dhe sot ka publikuar nëj letër të avokatit të ish-zv.presidentit të arbitrave, Jose Maria Enriquez Negreira.

Jose Maria Enriquez Negreira. Gazeta Si, 23 shkurt 2023

Negreira ka qenë arbitër në periudhën 1975-1992 dhe nga 1994-a deri në 2018-ën ka mbajtur postin e zëvendëspresidentit të Komitetit të Arbitrave në Spanjë. Nga 2003-shi, me anë të kompanisë së tij ‘Dasnil 95’, ka qenë në borderonë e pagesave të Barcelonës, që e ka paguar në total me 7 milionë euro.

Zyrtarisht, ‘Dasnil95’ i ofronte Barcelonës një shërbim konsulence për arbitrat në aktivitet. Për këto informacione është paguar. Fakti që ish-arbitri kishte një pozicion drejtues në sistemin arbitral në momentin që paguhej nga Barcelona përbën një skandal, ndaj të cilit kanë reaguar gjithë klubet spanjolle.

Në 2018-ën Enriquez Negreira nuk ishte më zëvendëspresident dhe Barcelona vendosi ta ndërpriste menjëherë shërbimin e konsulencës nga ‘Dasnil 95’. Ish-arbitri e priti keq këtë vendim dhe sipas një letre të publikuar nga El Mundo pak ditë më parë, ai e kërcënonte Barcelonën se do ta publikonte raportin disavjeçar mes tyre, duke lënë të kuptohet se do ishte një skandal i madh.

El Mundo sot publikon letrën e dytë, me anë të së cilës avokati i ‘Dasnil 95’ kërkon një pagesë prej gati 300.000 eurosh për periudhën qershor-dhjetor të 2018-ës, kur Barcelona kishte vendosur të mos vazhdonte me konsulencën e Enriquez Negreira, i cili pikërisht në qershor kishte mbyllur raportin me federatën spanjolle.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë