Futboll

Barça shumë e fortë për Interin, Napoli surprizon në Paris

Është mbyllur me ndeshjet e kësaj të mërkure, raundi i tretë i ndeshjeve në grup i Uefa Champions League. Shumë gola, spektakël dhe rezultate befasuese, ky ka qenë verdikti i kësaj mbrëmje. Kryesfida e kësaj mbrëmje, mes Barcelonës dhe Inter është mbyllur me fitoren e vendasve, që kanë dëshmuar edhe një herë se janë shumë lart se italianët, të cilëve do iu duhet akoma dhe më shumë punë për të shkuar aty ku duhet.  Dy surprizat më të mëdha këtë mbrëmje kanë ndodhur në Paris, aty ku Napoli barazoi me PSG dhe në Dortmund, ku vendasit kanë shkatërruar 4-0 me Atletico Madrid.

Ndeshjet e pasdites të kësaj të mërkure Championsi kanë dhuruar vetëm barazime. Monaco ka befasuar, duke mos shkuar më shumë se një barazim 1-1 me modestët e Club Brugge. Por edhe londinezët e Tottenham nuk kanë shkuar më shumë se një barazim në shtëpinë e PSV. 2-2 është mbyllur sfida, me holandezët që arritën të barazojnë në fund dhe morën kështu një pikë me shumë vlerë.

Supersfida e luajtur në “Camp Nou” ka dëshmuar se Barcelona është një nga pretendentet kryesore për të ngritur trofeun. Me dy gola nga një për pjesë, katalanasit fitojnë këtë ndeshje dhe njëkohësisht shkëputen në vendin e parë në grup. Golin e parë e shënoi një “ish” për Interin, Rafinja, ndërsa ai që vulosi triumfin ishte mbrojtësi Jordi Alba. Kjo ishte humbja e parë e Inter pas një serie prej 7 fitoresh rresht, por nuk ka kohë për trishtim te zikaltërit, pasi në fundjavë kanë një tjetër sfidë shumë të rëndësishme me Lacio në Serie A.

Ndërkohë supersfida tjetër e mbrëmjes mes Borusia Dortmund dhe Atletico Madrid ka prodhuar rezultatin më befasues të raundit Gjermanët kanë triumfuar në shifrat 4-0, duke tronditur spanjollët. Me këtë fitore Borusia merr kryesimin e grupit dhe është një hap larg kualifikimit në raundin tjetër.

Jo më pak spektakolare ka qenë edhe sfida e luajtur në “Parc des Princes”. Napoli dhe PSG kanë bërë gjithçka për ta fituar këtë duel të drejtpërdrejtë për kualifikim, por në fund u mjaftuan me një barazim. Ndërkohë ajo që ka përfituar më shumë nga barazimi në Paris, ka qenë Liverpool. Anglezët kanë marrë një fitore shumë të thjeshtë përballë Cervena Zvdezda me rezultatin 4-0.

Në ndeshjet e tjera të Champions League të luajtura këtë të mërkurë, Porto ka befasuar duke triumfuar në fushën e vështirë të Lokomotiv Moscow në shifrat 1-3. Sakaq sfida tjetër e luajtur në Stamboll mes Galatasaray dhe Schalke është mbyllur në barazim pa gola.

Tabela e rezultateve:


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë