Në këtë kohë vatrash Covid-i, me skuadra të bllokuara nga autoritetet lokale, rreziku për të humbur 3-0 në tavolinë është i lidhur veçanërisht me emergjencën sanitare. Kështu ndodhi me Totenhemin ndaj Renes në Ligën e Konferencës. Por ka dhe raste të tjera, kur mund të humbësh në tavolinë për shkak të vendimit të gjykatës sportive.
Roma gaboi me një ndërrim më shumë në Kupën e Italisë ndaj Specias dhe humbi 3-0. Edhe Barcelona ishte shumë afër këtij rreziku. Në ndeshjen me Granadën, që përfundoi 1-1, katalanasit mund ta kishin pësuar keq, sipas asaj që bën me dije “AS”.

Në fundin e ndeshjes, trajneri Ksavi hodhi në fushë tre lojtarë të akademisë, të cilët nuk janë të regjistruar në listën e skuadrës së parë. Këtu s’ka asgjë të gabuar, sepse të rinjtë mund të grumbullohen dhe aktivizohen pa limit në kampionat. Por ka një rregull, sipas të cilit, në fushë duhet të jenë të paktën 7 lojtarë të skuadrës së parë, ndaj dhe Barcelona rrezikoi shumë.
Me ndëshkimin me karton të kuq të Gavit, Barcelona mbeti me 10 vetë dhe me hyrjen në fushë të Alvaro Sanz, Abde Ezalzouli dhe Niko Gonzalez, numri i lojtarëve “të vlefshëm” u reduktua në minimumin e nevojshëm. Nëse arbitri do të kishte dhënë një karton të verdhë të dytë për Lenglet ose Depai, apo nëse do të ndëshkonte me të kuq një nga 5 të tjerët e ekipit të parë (Ter Shtegen, Zhordi Alba, Dani Alvesh, Buskets dhe Pike), ndeshja do të pezullohej për formacion të parregullt.
Një rrezik që duket se Ksavi e mori përsipër në mënyrë të vetëdijshme, kur aktivizoi Alvaro Sanz në vend të Dembele. “E dinim situatën, por duhej të kontrollonim ndeshjen, kishim nevojë për freski. E morëm përsipër këtë rrezik, pasi duheshin edhe 10 minuta dhe duhej të mbanim topin”, – tha trajneri i Barcelonës. Një manovër që gjithsesi nuk rezultoi efikase, sepse Granada barazoi. Por mund të shkonte edhe më keq.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




