Futboll

Barca fiton ‘El Clasico’-n dhe ‘Copa del Rey’-n

Thriller në temperament që vlon – kështu mund të përkufizohet “El Clasico” e një mbrëmjeje më parë që kërkoi kohën shtesë për të dërguar trofeun e 32 të “Copa del Rey” nga Sevilja në Barcelonë. Pedri (në 28’) shënoi në hyrje të zonës duke i dhënë avantazhin Barcelona-s e cila u dorëzua përballë Kylian Mbappe që barazoi (në 70’) me një goditje dënimi perfekte.

Aurelien Tchouameni ishte francezi tjetër që kaloi për të parën herë Real Madrid në avantazh (në 77’) por katalanasit mendonin ndryshe. Ferran Torres (që u shpall edhe Lojtari Finales) mori një top pas shpinës së mbrojtjes “merengues” për të barazuar përpara fundit të kohës së rregullt (84’). “El Clasico” e 3 për Hansi Flick shkon në shtesë atje ku francezi i 3 protagonist i mbrëmjes kishte fanellën kuqeblu.

Jules Kounde rrëmbeu një top në hyrje të zonës madrilene dhe në minutën e 116 shënoi golin e avantazhit të dytë katalanas që rezultoi edhe goli i fitores. Sukses që mban gjallë shpresat e Barcelona-s për një “Treble” të jashtëzakonshëm, të parin nën drejtimin e një trainer të huaj. Ajo kryeson La Liga me 4 pikë nga Real Madrid dhe do të luajë ndaj Inter në 1/2 finalet e Champions League.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë