Një gol i Vlahoviç në minutën e 2-të shtesë i ka mohuar fitoren Interit në fushën e vështirë të Fiorentinës. Megjithatë, edhe barazimi ka mjaftuar që zikaltrit të marrin sërish vendin e parë. Interi dhe Juventusi kanë nga 39 pikë, por skuadra e Kontes ka golaverazh më të mirë.
Borja Valero, ish-lojtari i Fiorentinës, shënoi golin e avantazhit për Interin vetëm pas 8 minutash lojë. Interi e kishte lojën nën kontroll dhe dyfishoi me Lautaro Martinez, por VAR-i e anuloi këtë gol për pozicion jashtë loje të argjentinasit dhe Fiorentina mbeti në lojë. Trajneri Konte kreu zëvendësimet me qëllimin për ta ruajtur rezultatin deri në fund, por goditja erdhi në shtesë, kur pas një kundërsulmi të shpejtë Vlahoviç mposhti portierin Handanoviç.
Një barazim që ka shpëtuar trajnerin Vinçenco Montela, i cili ishte në rrezik. Nga ana tjetër, edhe barazimi është një rezultat i pranueshëm për Interin, duke ditur që Firence është një fushë shumë e fortë. Ndeshja u bë dramatike për zikaltrit për faktin se goli i barazimit u pësua në shtesë dhe atyre u ikën nga duart dy pikë të çmuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.