Ngjarje

Barazia gjinore, Këshilli Ndërfetar: Jemi të palëkundur në qëndrimin kundër këtij ligji

Nga Gazeta Si- Ndërkohë që në seancën plenare në Kuvend këtë të enjte u debatua lidhur me projektligjin për Barazinë Gjinore, të kundërshtuar nga opozita dhe organizata që zhvilluan edhe një protestë, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë reagoi publikisht, duke thënë se është i palëkundur në qëndrimin kundër këtij projektligji.

KNFSH që përfaqëson të pesta komunitet fetare në vend (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike në Shqipëri, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë), nënvizon rëndësinë e ruajtjes së vlerave themelore të familjes, të traditës shoqërore dhe morale shqiptare, si dhe “të parimeve të besimeve tona fetare, në frymën e respektit, barazisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë”.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë shkruan se mbetet i përkushtuar ndaj dialogut të hapur dhe bashkëpunimit me institucionet shtetërore e shoqërinë civile, me synim forcimin e harmonisë ndërfetare dhe ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të barabartë dhe të qëndrueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë