Sociale

Banorët e ‘5 Majit’ kallëzim në SPAK kundër shembjes së banesave

Banorët e zonës së ‘5 Majit’, kanë bërë kallëzim në SPAK këtë të premte në lidhje me shembjet e banesave të tyre në kuadër të procesit të rindërtimit.

Përfaqësuesja e tyre ligjore, Adriana Kalaja në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se kanë bërë kallëzim penal ndaj kryeministrit Edi Rama, Arben Ahmetajt, Elisa Spiropalit, Erion Veliajt, Gledis Nanos dhe Artan Lames.

LEXO EDHE:
- Rama mes protestuesve të “5 Majit”: Askush nuk mbetet jashtë, të gjithë marrin hakun
- Tension te '5 Maji', policia largon me forcë banorët për shembjen e banesave (Foto-Video)
- Video e takimit/ “Ka mbaru Shqipëria”… Rama replikë me banoren e "5 Majit": Shteti të dhuron shtëpi, je ndërtim pa leje, ke zënë tokën

Ajo thotë se kush është e përfshirë në këtë aferë duhet t’i nënshtrohet hetimit, ndërsa ka shtuar se rindërtimi nuk është në interes të qytetarëve.

Prej disa ditësh banorët ato po bëjnë rezistencë dhe pavarësisht se kanë pasur edhe një takim me kryeministrin Edi Rama, ende nuk janë të bindur për një zgjidhje.

Banesat e tyre preken nga projekti për rindërtimin pas tërmetit si dhe rikualifikimit urban, por ata kërkojnë marrëveshje të dokumentuara dhe noterizuara.

Ata kanë protestuar vazhdimisht para Kuvendit, ndërsa kërkojnë garanci e kontrata për marrjen e shtëpive të reja ashtu siç është deklaruar nga autoritetet.

Banorët shprehen se nuk kanë firmosur asnjë kontratë me bashkinë dhe e cilësojnë atë si të njëanshme dhe jo transparente.

Përmes avokates Adriana Kalaja, banorët kërkuan që SPAK të bëjë sekuestron preventive dhe të ndalë aksionin për shembjen e banesave deri në sqarimin e planit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë