Edhe në tremujorin e tretë të vitit, bankat vijuan të lehtësojnë standardet e kreditimit për individët.
Lehtësimi i standardeve për individët preku vetëm në kreditë për blerje banesash, ndërsa standardet e kreditimit në kreditë konsumatore, nuk ndryshuan në krahasim me tremujorin e dytë.
Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e tretë lehtësimi i standardeve të kreditimit për individët u arrit nga shtimi i konkurrencës në sistem bankar, si edhe nga perceptimi i bankave për rrezik më të ulët lidhur me kolateralin.
Raporti i kredive të refuzuara ndaj totalit të aplikimeve për kredi nga ana e individëve u raportua në rënie në tremujorin e tretë të vitit.
Lehtësimi i kushteve të kreditimit për individët u arrit vetëm nëpërmjet kushteve joçmim, ndërsa marzhet e interesit, si për kreditë normale ashtu edhe ato me rrezik, u raportuan të pandryshuara nga një tremujor më parë.
Lehtësimi i kushteve dhe termave të kreditimit për individët u mbështet nga shtimi i konkurrencës në sistem bankar, si edhe nga toleranca më e lartë e bankave kundrejt rrezikut nga një tremujor më parë.
Edhe kërkesa e individëve për kredi u perceptua më e lartë në tremujorin e tretë të vitit, nxitur kryesisht nga kreditë për blerjen e banesave.
Statistikat e BSH-së tregojnë se kredia për individë po rritet me ritme të larta, e mbështetur sidomos nga kredia për blerjen e banesave. Për tetë muajt e parë të këtij viti, kredia e re e disbursuar për individët është rritur me 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në fund të muajit gusht, portofoli total i kredisë për individë arriti vlerën e 214 miliardë lekëve. Rreth 65% e kësaj shume, konsiston në kredi për blerjen e pasurive të paluajtshme.
Në tremujorin e fundit të vitit 2021, bankat presin t’i lehtësojnë më tej standardet e kreditimit për individët, sidomos në kreditë për blerjen e banesave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




