Banka e Shqipërisë raporton se është vështirësuar kreditimi për bizneset e mesme dhe të vogla (SME) gjatë tremujorit të parë 2022. Ndërkohë, standardet e kreditimit për bizneset e mëdha kanë qenë të pandryshuara dhe për konsumatorët kanë vazhduar lehtësimin.
Sipas BSH-së, faktorët që sollën shtrëngimin e standardeve të kreditimit për bizneset ishin të lidhur me perceptimin e rrezikut për situatën ekonomike në vend, aftësinë paguese të kredimarrësve dhe kolaterali.
Po ashtu, edhe toleranca më e ulët e bankave kundrejt rrezikut ndikoi në shtrëngimin e standardeve. Në kahun lehtësues, ndikuan kostot dhe kufizimet më të ulëta nga bilanci i bankave.
Bankat presin që në fakt shtrëngimet e kreditimit për SME-të të vazhdojnë edhe tremujorin e dytë, sidomos në kreditë për qëllime investimi.

Kushtet dhe termat e përgjithshëm mbi kreditë e reja për bizneset u vështirësuan përshkak të elementëve çmim, ashtu edhe ato joçmim. Kështu, bankat raportuan marzhe më të larta mbi kreditë me rrezik, reduktuan madhësinë e kredisë akorduar bizneseve, si edhe shtuan numrin e kushtëzimeve në marrëveshjet e kredisë, të nënshkruara mes bankave dhe bizneseve.
Shkalla e miratimit të kredive për bizneset u raportua më e ulët në tremujorin e parë të vitit.
Kështu, perceptimi i bankave për rrezikun lidhur me perspektivën e sektorit ku operojnë bizneset, me gjendjen financiare të bizneseve; faktorët e lidhur me kuadrin e politikave të kreditimit të bankave, me aftësinë paguese të kredimarrësit.
Po ashtu lidhet edhe me historikun e kreditit nga regjistri i kredive dhe statusin e kredive aktuale. Të gjitha keto ndikuan në shtimin e numrit të refuzimeve për kredi gjatë këtij tremujori.
I vetmi element me ndikim rënës në shkallën e refuzimeve u raportua historiku i marrëdhënieve të biznesit me bankën.
Bizneset, nga ana tjetër, kanë shtuar dukshëm kërkesën për kredi për të katërtin tremujor me radhë, me qëllim financimine investimeve të planifikuara dhe të inventarëve e kapitalit qarkullues, në të gjitha kategoritë e madhësisë së biznesit.
Standardet e kreditimit për individët u lehtësuan në tremujorin e parë. Njëkohësisht bankat lehtësuan edhe kushtet e termat për kreditë e reja akorduar individëve.
Shtimi i konkurrencës në sistemin bankar duket se ka shtyrë bankat të aplikojnë politika më lehtësuese për kreditimin e individëve gjatë këtij tremujori.
Kjo reflektohet dhe në shkallën e miratimit të kredive, e cila, sipas raportimit të bankave, shënoi rritje edhe këtë tremujor. Kërkesa për kredi ishte e lartë, sidomos në kreditë për blerjen e banesave.

Bankat presin që e njëjta situatë të jetë dhe për tremujorin e dytë 2022. Kështu, bankat pritet të vijojnë kujdesin e shtuar kundrejt kreditimit të bizneseve, ndërkohë që për individët të mbajnë një përqasje më lehtësuese kreditimi. Kërkesa për kredi, si nga ana e bizneseve ashtu edhe e individëve, pritet të vijë në rritje. Shtimi i kërkesës për kredi në të dyja kategoritë pritet të jetë me bazë të gjerë, në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



