Zana pak javë më parë do të përjetonte një ngjarje familjare të rëndë. I ati iu sëmur në mënyrë akute dhe kishte nevojë për shërbim përtej kufijve.
Spitali në Turqi e pranoi kërkesën, por mungonin paratë. Kursimet e familjes nuk mjaftonin, të gjithë me rroga modeste dhe pensione.
“Druhesha të trokisja tek të afërmit dhe miqtë, nuk e kisha bërë ndonjëherë edhe pse ky rast ishte urgjent dhe kishte të bënte me shëndetin. Edhe pse duke trokitur përfundova, por jo sepse doja. Ishte e pamundur të zgjidhja gjë me bankat”- tregon Zana për gazetën “Si”.
Zanës i kanë skaduar si karta e identiteti, ashtu edhe pasaporta biometrike sepse i ka prodhuar në të njëjtën kohë.
Gjendja e pandemisë e bëri të mos arrinte ti rinovonte. Mandej një vendim i Këshillit të Ministrave se edhe letërnjoftimet e skaduara mund të përdoren deri në 31 dhjetor 2020 e lehtësoi duke marrë parasysh situatën e paqartë dhe të pasigurtë ekonomike, sepse “gati 10 mijë lekë të reja nuk janë pak në këtë kohë. Plus nuk kisha ndërmend të dilja jashtë”- shpjegon Zana.
Por të papriturat nuk të pyesin dhe kur shkoi në disa banka të nivelit të dytë në vend për të aplikaur për kredi, nuk mundi. Bankat nuk pranonin dokumentet e identifikimit të skaduara edhe pse me Vendim Qeverie.
Për ta vërtetuar nëse kjo ishte e vërtetë për të gjitha bankat dhe për këdo klient, gazeta “Si” kontaktoi me disa prej bankave të nivelit të dytë në kryeqytet.
Banka Kombëtare Tregtare, Credins Bank, Reiffaisen Bank, Procredit Bank i thanë gazetës “Si” se dokumentet personale të identifikimit të skaduara nuk i pranojnë.
“Kështu kemi vendosur, ne jemi privat, jo shtet. Nuk përballojmë dot risqe të tilla. Zyrat janë hapur tashmë dhe qytetarët mund të aplikojnë për pasaportat e reja dhe kartat e identitetit”- artikuluan ngjashëm bankat.
Por VKM shkruan të zezë mbi të bardhë “shtetasit shqiptarë që kanë në posedim letërnjoftim ID (karta identiteti) që skadojnë brenda vitit 2020, do të kenë mundësi të përdorin këto letërnjoftime dhe përtej këtij afati, deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19.” Ky akt normativ hyn menjëherë në fuqi.
Po ashtu edhe për pasaportat biometrike për jashtë shtetit.
Ne iu drejtuam juristes së gazetës “Si” Elvana Deshati e cila u shpreh se vendimi i bankave të nivelit të dytë vjen pasi ato llogarisin riskun dhe “këtu ka vend për abuzime. Mund të jetë dikush që gjatë periudhës ta ketë lënë nënshtetësinë shqiptare, për shembull dhe me pasaportën e vjetër aplikon dhe merr kredi e zhduket. Pra ka hapësirë potenciale për të abuzuar dhe bankat vendosin të mos e marrin përsipër këtë lloj risku që mund t’ju kushtojë të nesërmen”.
Duke marrë parasysh që Banka e Shqipërisë, si autoriteti përgjegjës për licencimin dhe mbikëqyrjen e bankave dhe subjekteve financiare jo banka që ushtrojnë aktivitet në Republikën e Shqipërisë është autoriteti kompetent që mund ti jepte zgjidhje çështjes në të mirë të konsumatorëve, gazeta “Si” i kërkoi një qëndrim edhe BSH-së, e cila iu përgjigj interesimit të gazetës pas tre ditësh.
“Banka e Shqipërisë, si autoriteti përgjegjës për licencimin dhe mbikëqyrjen e bankave dhe subjekteve financiare jo banka që ushtrojnë aktivitet në Republikën e Shqipërisë, mbikëqyr veprimtarinë e tyre brenda kompetencave që i jep ligji për Bankën e Shqipërisë dhe Ligji për Bankat në Republikën e Shqipërisë dhe vlerëson çdo problematikë vetëm në këtë kuadër.
Referuar këtij rasti ne konstatojmë se çështja e shprehur nga ana juaj është përtej kompetencave që kuadri ligjor në fuqi ka përcaktuar për Bankën e Shqipërisë. Zbatimi dhe ndjekja e akteve ligjore dhe rregullatorë të ndryshëm nga ky kuadër, duke përfshirë edhe vendimet e Këshillit të Ministrave nuk janë kompetencë e Bankës së Shqipërisë.”- citon Banka e Shqipërisë në kthimin e përgjigjes ndaj gazetës “Si” përmes e-mailit.
Në fakt VKM/akti normativ nuk ngarkon ndonjë institucion përgjegjës për monitorimin e aktit normativ të shtyrjes së afatit të përdorimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike të skaduara brenda 2020-ës, por juristë të tjerë të kontaktuar nga gazeta “Si” shprehen se marrëdhënien mes klientit dhe bankës për çdo konflikt të mundshëm e zgjidh gjykata.
“Bankat janë në të drejtën e tyre që ta zbatojnë apo jo VKM-në. Duhet marrë parasysh që bankat nuk kanë marrëdhënie vetëm brenda për brenda. Në momentin që zyrat janë të hapura dhe është momenti më i mirë kur nuk ka as emigrantë dhe as fluks njerëzish, pasaporta del për 10 ditë. Nuk e kuptoj pse duhet të bëhet çështja kur zgjidhja e aplikimit për pasaportë dhe kartë identiteti është. Mendimi nëse bankat kanë apo jo të drejtë është subjektivë. Por zgjidhja është dhe qytetari mbaron punë. Por nëse qytetari mendon se ka të drejtë, zgjidhja mes tij dhe bankës është gjykata”- shprehet një jurist për gazetën “Si”.
Vendimi i Qeverisë u ndërmorr në kohë karantine ku lëvizja ishte e pamundur ose tejet e kufizuar. Prej datës 23 qershor gjendja e jashtëzkonshme si pasojë e pandemisë Covid-19 ka përfunduar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.