Para

Bankat shqiptare aplikojnë për t’u bërë pjesë e SEPA. Transaksionet e para nisin në tetor

Nga Gazeta ‘SI’ – Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave kanë kryer aplikimin pranë Këshillit Europian të Pagesave (EPC), paketën e aplikimeve për anëtarësimin e bankave në skemën e transfertave të kreditit SEPA.

Të 11 bankat e sistemit bankar shqiptar përgatitën individualisht aplikimet përkatëse brenda një kohe relativisht të shkurtër, me qëllim që transaksionet e para ndërkufitare SEPA të realizohen në fillim të muajit tetor 2025.

Kjo është koha më e shpejtë, e vendosur nga EPC, kur ofruesit e shërbimeve në Shqipëri mund të nisin kryerjen e këtyre transaksioneve ndërkufitare në Euro përmes SEPA-s.

Vendimi për përfshirjen e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA u mor nga EPC më 21 nëntor 2024, ndërsa institucionet financiare mund të nisnin aplikimin për aderimin në skemat e pagesave SEPA vetëm prej muajit prill 2025.

Gjatë kësaj periudhe, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave kanë orientuar intensivisht bankat në procesin e aplikimit, duke vepruar si Qendër Kombëtare për Mbështetjen në Procesin e Aderimit.

Pjesëmarrja në skemat SEPA do të sjellë përfitime të ndjeshme për konsumatorin dhe biznesin shqiptar, përmes uljes të kostos së transfertave dhe zgjerimit të aktivitetit ekonomik.

Banka e Shqipërisë do të vijojë të mbështesë bankat në finalizimin e përshtatjeve teknike, për të qenë të afta të ofrojnë transaksione ndërkufitare më të lira për shqiptarët në momentin më të parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë