Para

Bankat po fitojnë më pak muajt e parë të vitit, rezultati neto në rënie me 27%

Fitimet e sektorit bankar e kanë nisur vitin me një tendencë rënieje.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për periudhën janar-shkurt, sektori bankar raportoi një fitim neto në vlerën e 2.3 miliardë lekëve, me një rënie prej afërsisht 27% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Edhe treguesi i kthimit nga kapitali, i mesatarizuar me bazë vjetore, ka rënë në 7.85%, nga 11.59% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kthimi nga aktivet pësoi gjithashtu rënie në 0.9%, nga 1.29% që shënonte në fund të shkurtit të vitit 2021.

Këto të dhëna bazohen në standardet e raportimit financiar që kërkohen nga Banka e Shqipërisë për qëllime të mbikëqyrjes dhe kanë një vlerë orientuese për tendencën e performancës së sistemit. Standarde ligjore të raportimit për bankat janë Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), por ato janë të disponueshme vetëm me bazë tremujore.

Sipas standardeve IFRS fitimi arriti vlerën e rreth 19 miliardë lekëve, ndërsa sipas standardeve lokale të Bankës së Shqipërisë ky fitim arriti në më shumë se 21 miliardë lekë. Për momentin, treguesi kryesor që mat cilësinë e aktiveve të sektorit, raporti i kredive me probleme nuk ka shfaqur rritje, madje shënoi një tjetër rënie të lehtë edhe për muajin shkurt.

Një qasje e ngjashme u vërejt edhe në vitin 2020, kur pasiguria për pasojat që mund të sillte pandemia çoi në një rritje të ndjeshme për provigjionet për humbjet nga kreditë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë