Javën e kaluar, në Davos, pjesëmarrësit e Forumit Ekonomik Botëror vazhdimisht u përplasën me idenë se rruga drejt një të ardhme pa karbon kalon përmes sistemit financiar. “Bankat, kompanitë e sigurimit, fondet e investimeve janë po aq fajtore për situatën emergjente të klimës sa industria e karburanteve fosile” akuzoi organizata “Greenpeace”. “Menjëherë, hiqni dorë tërësisht nga karburantet fosile,” kërkoi aktivistja për klimën, adoleshentja Greta Thunberg.
Dhe me të vërtetë, bankierët dhe investitorët të ndërgjegjësuar ndaj mjedisit po nxitojnë të jenë në anën e duhur të historisë duke iu qëndruar sa më larg qymyrgurit, naftës kanadeze dhe shpimeve artike.
Po krahas situatës solidarizuese, të krijuar nga një pjesë e bankierëve dhe investitorëve, mosinvestimi nuk ka për ta zvogëluar industrinë e karburanteve fosile. Sot, kapitali dhe nafta janë dy prej produkteve më të këmbyeshme. Zhduk një burim parash, përshembull kreditë bankare dhe një tjetër ka për ta plotësuar boshllëkun. Lini një depozitë nafte dhe gazi në tokë, dhe shumë të tjera kanë për t’u shfrytëzuar.
Realiteti i ashpër është se për sa kohë që kërkesa për naftë, gaz dhe qymyr vazhdon të jetë në rritje, oferta për këto produkte do ta gjejë një mënyrë për t’u gjëndur në treg. Për të ngadalësuar ngrohjen klimaterike, bota duhet të adresojë fillimisht kërkesën për lëndë djegëse fosile, dhe jo ofertën apo se nga vjen furnizimi me këtë produkt.

Supozoni se menaxherët më të mëdhenj të fondeve të investimeve do të njoftojnë se do shesin aksionet e tyre të kompanive të naftës dhe gazit, si “Exxon Mobil” dhe “Chevron Corp”. Impakti që ky veprim do ketë në prodhim do jetë zero. Këta gjigandë të naftës dhe gazit, gjenerojnë mjaftueshëm të ardhura dhe nuk kanë nevojë të emetojnë aksione të reja apo obligacine për të financuar shpenzimet e tyre, në fakt shumica tyre janë duke blerë mbrapsht aksionet. Sigurisht që nga shitja masive, e investitorëve të fondeve, çmimet e këtyre aksioneve do të bien, por për çdo shitës të ndërgjegjshëm ndaj rrezikut që po i kanoset planetit tonë, ka një blerës të etur për dividente të lartë (ashtu siç ndodhi dhe me aksionet e duhanit kur ato u shmangën në mënyrë të ngjashme nga investitorët)
Kompanitë e pavarura të eksplorimit dhe prodhimit të shistit argjilor, që tani në SHBA janë në fokus, me të vërtetë varen shumë nga investimet e jashtme. Por kjo po ndryshon teksa aksionerët po i’u bëjnë presion këtyre kompanive që të realizojnë fitime. Emetimi i përgjithshëm i kapitalit dhe i borxhit, i këtyre kompanive, vitin e kaluar ra në $ 12 miliardë nga $ 46 miliardë për vitin 2016, sipas Alisa Lukash, një analiste në firmën kërkimore “Rystad Energy”.

Kompanitë e shistit argjilor me të vërtetë kanë linja të kredive bankare të siguruara nga rezervat e tyre me naftë dhe gaz. Por edhe nëse bankat e mëdha tërhiqen, shumë shpejt bankat më të vogla rajonale do të gjënden për ti’u zënë vendin. “Është e vështirë të imagjinosh një botë ku bankat e Teksasit s’do iu japin më kredi kompanive të naftës dhe gazit. E gjithë bota e tyre mbi këta lloj klientësh është e ndërtuar”, shprehet Andrew Dittmar kërkues mbi burimet energjitike nga firma Enverus. Gjithashtu kur mënyra e marrjes së borxhit në mënyrën konvesionale ezaurohet, siç ndodhi në krizën financiare të 2008-ës, atëherë alternativa inovative si partneritetet me firmat që japin hua në këmbim të zotërimit të një pjese të kapitalit (private equities firms) zënë vend.
Por, le të supozojmë se heqja dorë nga këto investime arriti të largojë disa prodhues të naftës e gazit me kosto të lartë nga biznesi. Përsëri në botë do të ketë shumë burime të tjera të naftës dhe gazit të lirë. Po kështu shprehet Jason Bordoff, i Universitetit të Kolombia-s (Columbia University) mbi politikat globale të energjisë, “Në treg nuk ka mungesë të hidrokarbureve të lira. Madje, nëse do të zhdukje një sasi furnizimi të fuçive me naftë nga shistet argjilorë, OPEC do t’i zëvëndësonte këto fuçI menjëherë”.
Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson se kompanitë gjigante të naftës si “Saudite Aramco”, “Kompania Kombëtare e Naftës Iraniane” dhe firma të tjera shtetërore si “China National Petroleum Corporation” dhe “Gazprom” i Rusisë kontrrollojnë 66% të rezervave të naftës dhe 60% të rezervave të gazit.
Këto kompani, shpesh të kontrolluara nga qeveritë autoritare, janë shumë më pak të ndjeshme ndaj presionit publik sesa kompanitë e listuara në bursat e Europës dhe Amerikës së Veriut. Shumica prej tyre nuk kanë fare nevojë për para të huaj për të financuar operacionet e ndryshme. Rast interesant është ai i qeverisë saudite e cila po përdor të ardhurat e ofertës fillestare publike (Initial Public Offering) të “Saudi Aramco-s” për projekte të ndryshme të zhvillimit ekonomik, e jo për të nxjerrë naftë. Flukset monetare të kompanisë prej 81 miliardë dollarë, gjatë nëntë muajve të parë të 2019-ës, ishin më shumë se trefishi i shpenzimeve kapitale.
Një nga industritë e pakta të lëndëve djegëse fosile ku mosinvestimi ka qenë i madh është ai qymyrgurit Amerikan. Megjithatë, në këtë rast, bankat dhe investitorët thjesht po veprojnë në interesin e tyre ekonomik. Politikat për energji të pastër dhe gazi i lirë natyror kanë goditur kërkesën për qymyrgur, duke çuar të paktën tetë kompani amerikane të qymyrgurit afër falimentimit që nga fundi i vitit 2018.
Mësimi këtu është se frenimi i konsumit të karburanteve fosile kërkon ndryshimin e një ekonome të tërë mbi të cilën bota e sotme bazohet. Një mënyrë, që përpjekjet për ndryshimin klimaterik dhe për mbrojtjen e planetit të mund të realizohen, është duke i shtyrë bankat të zgjerojnë më shumë investimet për energjinë alternative, e cila me të vërtetë ka nevojë për më shumë fonde nga jashtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje