Ekonomi

Bankat me efekt negativ në ekonomi në 2016-ën

INSTAT raporton se gjatë vitit 2016, vlera e shtuar bruto në ekonomi u rrit me 2,5 %, krahasuar me vitin paraardhës.

Kontributin më të lartë në këtë rritje e ka dhënë Sektori Jo-Financiar (biznest) me 1,31 pikë përqindje dhe Sektori i Familjeve me 1,00 pikë përqindje.

Kontributin më të ulët e ka dhënë sektori Financiar që përfaqësohet kryesisht nga bankat dhe kompanitë e sigurimit kontribuoi me ulje -0,25 pikë përqindje.

Në strukturën e vlerës së shtuar bruto, Sektori Jo-Financiar zë peshën më të madhe me 45,3 %, i ndjekur nga Sektori i Familjeve me 40,7 % të Vlerës së Shtuar Bruto në ekonomi, për vitin 2016.

Në vitin 2016, treguesi “Kompensimi i Punonjësve” zë 67,4 % të vlerës së shtuar bruto dhe rezulton me rritje krahasimisht me vitin paraardhës.

Gjatë viteve 2013-2016, vihet re një trend në rritje i këtij treguesi, duke ndjekur të njëjtin trend me vlerën e shtuar bruto, për ekonominë gjithsej.
Kompensimi i punonjësve shënoi rritje me 7,2 % në ekonominë gjithsej, krahasuar me vitin 2015.

Dy sektorët më të mëdhenj në ekonominë e vendit janë Sektori Jo-Financiar dhe Sektori i Familjeve. Në Sektorin Financiar operojnë një numër më i vogël njësish institucionale. Sektori i Institucioneve Jo-fitimprurëse në Shërbim të Familjeve përbën pjesën më të vogël të kompensimit të punonjësve.

Në vitin 2016, fitimi operativ bruto, në raport me vlerën e shtuar bruto zë 30,8 %, nga 33,9 % që zinte në vitin 2015. Ky rezultat vjen si pasojë e rritjes më të lartë të treguesit të kompensimit të punonjësve prej 7,2 %, krahasuar me rritjen prej 2,5 % të treguesit të vlerës së shtuar bruto.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë