Financa Personale

Bankat lehtësuan kushtet e kredisë për individë në fund të 2020, por ata nuk patën mundësi të marrin hua

Bankat e nivelit të dytë lehtësuan kriteret e kredisë për individë në tremujorin e fundit të 2020-ës, por këta të fundit nuk mundën të marrin hua duke e ulur kërkesën për kredi në këtë kategori huamarrësish.

Të dhënat e raportit të Aktivitetit Kreditues të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e fundit të 2020-ës, tregojnë se standartet u lehtësuan si për kreditë konsumatore, ashtu edhe për ato për blerjen e banesave.

” Në tremujorin e parë të vitit 2021, bankat presin t’i lehtësojnë më tej standardet e kreditimit, veçanërisht në kreditë konsumatore.”

Raporti argumenton se standardet e kreditimit për individët u lehtësuan kryesisht për arsye se bankat perceptuan më pak rrezik në lidhje me: aftësinë paguese të kredimarrësit; rrezik më të ulët nga kolaterali; si edhe zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave. Po ashtu, bankat treguan më shumë tolerante ndaj rrezikut për kreditë dhënë individëve këtë tremujor (tremujori i fundit 2020). I vetmi faktor me ndikim negativ tek standardet e kreditimit për individët u raportua situata makroekonomike në vend e perspektiva për të

Lehtësimi i përgjithshëm i kushteve të kreditimit, sipas raportit, u arrit falë lehtësimit të kushteve që kanë të bëjnë me  zgjatjen e periudhës së shlyerjes së kredisë.

Nga ana tjetër, kushtet në lidhje me interesat u shtrënguan, si pasojë e marzheve më të larta aplikuar si mbi kreditë normale, ashtu edhe ato me rrezik. Në të njëjtën kohë, shtrëngimi u bë edhe në termat e reduktimit të madhësisë së kredisë, si edhe kërkesat më të larta për kolateral.

Kërkesa për kredi

Kërkesa e individëve për kredi u perceptua me rënie edhe në tremujorin e fundit të vitit,që erdhi kryesisht prej kredisë konsumatore. Në tremujorin e parë të vitit 2021, bankat presin kërkesë disi të shtuar për kredi nga ana e individëve, më e përqendruar në segmentin e kredisë konsumatore.

Sipas gjykimit të bankave, rënia e kërkesës për kredi nga individët u shkaktua nga nevojat më të ulëta në financimin e konsumit, si edhe nga rënia e të ardhurave dhe pasiguria financiare për të ardhmen, të shkaktuara nga zgjatja e periudhës së pandemisë. Faktorët e tjerë që ndikojnë kërkesën për kredi të individëve u raportuan thuajse të pandryshuar në këtë tremujor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë