Para

Bankat lehtësuan kreditë në fillim të vitit, por kjo nuk do të zgjasë

Nga Gazeta 'SI' - Në tremujorin e dytë të vitit 2024, kreditimi për individët u bë më i thjeshtë dhe i aksesueshëm, pasi bankat lehtësuan kushtet e dhënies së një kredie.

Sipas anketës që bën Banka e Shqipërisë, arsyeja kryesore e kësaj lëvizje ka qenë rritja e konkurrencës , por edhe vlerësimi i bankave se kredimarrësit kanë aftësi paguese. Vetëm një bankë tregtare ka perceptuar rrezik mbi aftësin paguese të kredimarrësve.

Kërkesa e qytetarëve për kredi ka shënuar rritje gjatë periudhës prill-qershor. Bankat shprehen se do të bëhen më “dorështrënguar” tre muajt e ardhshëm sa i përket kreditimit të individëve. Kërkesa për kredi pritet të jetë e lartë edhe në vazhdim, si për konsum dhe për pasuri të patundshme.

Për kredinë e bizneseve, bankat tregtare nuk kanë ndryshuar politikat e tyre, duke e lënë të lehtësuar mundësinë e huamarrjes nga bizneset. Kjo sepse situata financiare e ndërmarrjeve është paraqitur më pozitive gjatë këtij tremujori. Vetë bankat perceptojnë një situatë makroekonomike të përmirësuar.

Bizneset kanë kërkuar më shumë kredi gjatë tremujorit të dytë për nevoja financimi dhe investimi.

Në gjykimin e bankave, ambienti  i  normave  të  interesit dhe  situata  makroekonomike  në  vend ishin stimuluese për kërkesën për kredi të bizneseve, për herë të parë pas shtatë tremujorësh. Nivelet e larta të likuiditetit të disponuara  nga  bizneset  nuk e  frenuan kërkesën  e  lartë  për  kredi,  si përfinancimin  e  inventarëve  e kapitalit qarkullues, ashtu edhe të investimeve të planifikuara.

Bizneset pritet të shfaqin kërkesë të lartë në të gjitha segmentet e madhësisë së biznesit dhe për çdo lloj qëllimi përdorimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë