Sektori bankar rezultoi me fitim 7.9 miliardë lekë për 5 muajt e parë të vitit 2021, duke kaluar nivelet e para pandemisë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, fitimi këtë vit është 56% më i lartë dhe pothuajse njësoj me periudhën e 2019-s.
Kthimi nga kapitali i sektorit bankar, mesatarizuar me bazë vjetore në fund të majit rezultoi 11.57%, nga 7.79% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Që nga fundi i vitit 2020, kthimi nga kapitali ka qëndruar në nivele dyshifrore dhe në nivele të përmirësuara.
Rritja e fitimeve të sektorit bankar gjatë këtij viti reflekton në radhë të parë një ecuri pozitive të treguesit të kredive me probleme, që ka mbajtur tendencën e një rënie të ngadaltë.
BSH-ja raportoi se në fund të muajit maj ky raport shënoi nivelin 7.8%, nga rreth 8.2% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ulja e kredive me probleme nënkupton më pak shpenzime për provigjione, që zakonisht japin ndikimin kryesor në luhatjet afatshkurtra të fitimeve të bankave tregtare.
Nga ana tjetër, gjatë këtij viti sektori ka shfaqur një performancë në përmirësim edhe për bazën e të ardhurave. Bankat kanë rritur të ardhurat nga komisionet krahasuar me një vit më parë, kur kufizimet e mëdha të lëvizjes dhe orareve të biznesit sollën edhe rënien e ndjeshme të veprimeve bankare në degë dhe agjenci.
Të ardhurat neto nga interesat janë në rritje, falë zgjerimit të bazë së aseteve, që është shprehur në rritje të portofolit të kredisë dhe të investimeve në tituj.
Në krahun tjetër, shpenzimet për interesa paraqiten në rënie, fenomen ky i lidhur sidomos me zhvendosjen e kursimeve kryesisht në depozita pa afat dhe llogari rrjedhëse, ku interesat që paguajnë bankat janë edhe më të ulëta.
Të dhënat mbi fitimet mbështeten në standardet e raportimit të aplikuara për qëllime të mbikëqyrjes nga Banka e Shqipërisë. Fitimet sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, që janë edhe standardi ligjor i raportimit të bankave, nuk publikohen me frekuencë mujore. Gjithsesi, rezultati financiar mes dy standardeve mund të ketë diferenca të konsiderueshme, për shkak të parimeve të ndryshme që ndiqen në llogaritjen e fondeve rezervë për humbjet nga kreditë me probleme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




