Shoqata e Bankave organizoi të martën një tryezë me tematikë “Digjitalizimi para parasë fizike”, përmes të cilit i përsëriti Qeverisë thirrjen për të luftuar paranë ‘cash’ dhe kërkesën për qasje të shërbimet e e-Albanias.
“Digjitalizimi i shërbimeve financiare nuk është një mision që mund ta përmbushin të vetme bankat. Unë dua të shtroj disa pyetje. Pse në Shqipëri nuk ekziston detyrimi i tregtarëve për të pranuar pagesa alternative, përveç parasë cash? Pse Shqipëria nuk ka një vlerë tavan për pagesat konsumatore me para fizike? Në vendet e rajonit të tilla masa ekzistojnë”, tha kreu i Shoqatës së Bankave, Bledar Shella.
Qeveria është vënë në bisedime prej muajsh me bankat e nivelit të dytë për të zgjeruar ofrimin e shërbimeve dhe të pagesave online, edhe në sektorët e tjera nën shembullin e ofrimit të shërbimeve shtetërore përmes e-Albanias.
Por, bisedimet kanë hasur në një ngërç në lidhje nga komisionet e kërkuara nga ana e bankave për ofrimin e këtyre shërbimeve. Si shembull, Kryeministri Edi Rama solli në një takim me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë të mbajtur në fillim të majit projektin për pagesat online të biletave të transportit qytetas dhe ndërqytetas.
“Ne kemi një projekt për pagesat në transportin qytetas dhe ndërqytetas, që do të bëhet online. Por, si mundet që të paguhet komision për këto bileta sa gjysma e vlerës së biletës?! Qeveria subvencionon mbi 5 mln euro që çmimi i biletës të mos rritet. Si mund t’u themi që do ta merrni online shërbimin dhe do të paguani komision?! Nuk ndodh që të pranojmë që të rritet çmimi i biletës së qytetarëve për shkakun tuaj”, deklaroi Rama.
Rama u kërkoi bankave që të rishikojnë qëndrimet për komisionet. Koha që u la në dispozicion është disa muaj. “Brenda muajve duhet të marrë drejtim kjo punë dhe t’ua përcjellim qytetarëve që të kenë një akses komplet tjetër dhe të lehtësuar në bankat e nivelit të dytë”, u shpreh ai.
Sa për kërkesën e bankave për qasje të të dhënat e e-Albanias Qeveria e ka kundërshtuar duke argumentuar se kjo mund të jetë antikushtetuese dhe në kundërshtim me parashikimet e normave ndërkombëtare për privatësinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




