Para

Banka e Shqipërisë shton mbrojtjen ndaj rrezikut të kredisë në rritje. Aktivizion shtesën kundërciklike

Nga Gazeta ‘SI’ – Banka e Shqipërisë ka vendosur të “aktivizojë” norma e shtesës kundërciklike të kapitalit (KUNC) për të ngadalësuar kreditimin.

BSH ka përcaktuar se çdo bankë tregtare duhet të rrisë kapitalin e saj me 0.25% nga qershori i vitit të ardhshëm.

Sipas definicionit të vetë Bankës, KUNC aktivizohet gjatë periudhave të rritjes së rrezikut sistemik, në këtë rast kreditimi i lartë, matur në raport me PBB-në .

BSH thotë se ky tregues është negativ, por madhësia e vlerës negative është zvogëluar. Hendeku i raportit të kredisë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ishte -7.2 pikë përqindje, nga -7.84 pikë përqindje që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm.

Banka thotë se mund të ndodhë dhe një rritje tjetër e KUNC.

Prej një viti kredia bankare ka pasur një zgjerim të shpejtë, kryesisht drejt sektorit imobiliar dhe biznesit, por siç thekson BSH, një ecuri e tillë shoqërohet me rreziqe, që mund të lidhen me rënie të standardeve të kreditimit, rritjen e niveleve të përqendrimit të saj në sektorë apo tregje të caktuar, rritjen e niveleve të borxhit për agjentët e ekonomisë reale përtej niveleve të shëndetshme etj.

Në fund të 2023-shit, kredia për banesa arriti në total 48.5 mld lekë me rritje 5.2% nga 2022-shi. Lidhur me rritjen e shpejtë të kësaj dege kreditimi, BSH përgatiti dhe një rregullore për kufizimin e huasë për pasuri të patundshme, në masë dhe në vlerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë