Ekonomi

Banka e Shqipërisë: Rritja e shpejtë e kredisë cënon stabilitetin financiar të vendit. Kujdes me kredinë për banesa!

Nga Gazeta 'SI' - Rritja e shpejtë e kreditimit ka nevojë për monitorim, thekson Banka e Shqipërisë.

Siç analizon në raportin e Stabilitetit Financiar, BSH thekson se periudha të rritjes së fortë të kredisë sjellin rreziqe për sistemin bankar dhe vetë individët. Nëse nuk kontrollohen, këto faktorë cënojnë stabilitetin financiar të vendit.

“..këto periudha mund të sjellin edhe fillimin e rreziqeve të lidhura me rënien e standardeve të kreditimit, rritjen e përqendrimit të kredisë në sektorë ose tregje të caktuara, rritjen e niveleve të borxhit të bizneseve dhe individëve përtej niveleve të shëndetshme, rritjen e stokut të kredive me probleme etj. Nëse nuk kontrollohen, këto situata mund ta bëjnë ekonominë dhe sistemin financiar më të ndjeshëm ndaj goditjeve të ndryshme, duke cenuar stabilitetin financiar të vendit. Për këto arsye, nevojitet përdorimi i instrumenteve makroprudenciale që veprojnë në mënyrë kundërciklike, parandalojnë përhapjen e pakontrolluar të këtyre rreziqeve dhe rrisin rezistencën e bankave ndaj mundësisë së materializimit të tyre”.

Banka e Shqipërisë përmend specifikisht kredinë për sektorin e pasurive të paluajtshme që prej kohësh është shqetësim për autoritetin dhe tashmë listohet si faktor risku për sistemin bankar.

Bankat kanë perceptuar si një rrezik të ri atë të "paqëndrueshmërisë së vlerave të pasurive të paluajtshme", por vlerësimi për të ka mbetur i pandryshuar gjatë periudhës dhe ky rrezik nuk renditet midis pesë rreziqeve kryesore sistemike.

Ndërkohë, bankat kanë vijuar të mbështesin këtë sektor, por kanë shtrënguar standardet.

Në fund të gjashtëmujorit, teprica e kredisë për këtë segment shënoi vlerën 180 miliardë lekë, duke u rritur me 7% dhe 13% në terma gjashtëmujorë dhe vjetorë. Kushtet dhe termat e kreditimit të bankave për blerjen e banesave shfaqën një shtrëngim të lehtë në formën e normave më të larta të interesit dhe kërkesave më të larta për kolateral.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë