Nga Gazeta 'SI' - Banka e Shqipërisë ka licencuar institucionin e parë financiar për të operuar në “open banking”, bankingu i hapur.
BSH ka dhënë miratimin për licencimin e Easypay sh.p.k.
Bankingu i hapur u mundëson qytetarëve të aksesojnë të dhënat e llogarisë së tyre dhe të inicimit të pagesave nga bankat dhe institucionet e tjera financiare, nëpërmjet ofruesve të shërbimit të palëve të treta. Në ndryshim nga bankingu tradicional, ku vetëm klienti dhe banka kanë akses në të dhënat financiare, bankingu i hapur iu jep mundësinë klientëve t’i ndajnë këto të dhëna në mënyrë të sigurt me një ofrues tjetër shërbimi për të shtuar përfitimet e klientëve nga përvojat inovative financiare. Kjo do të thotë se klientët mund të realizojnë shërbime pagesash nga llogaria e tyre bankare edhe nëpërmjet institucioneve të tjera financiare dhe jo domosdoshmërisht vetëm nëpërmjet bankës, ku kanë llogarinë.
Banka e Shqipërisë thekson se licenca e parë e miratuar, i hap rrugën fillimit të ofrimit të këtyre shërbimeve në tregun shqiptar si edhe nxit formalizimin e ekonomisë.
“Dëshirojmë të sjellim në vëmendje se në qendër të kësaj iniciative qëndron qytetari, për t’i dhënë më shumë mundësi zgjedhjeje që të kryejë pagesa dhe transferta më të thjeshtuara, më të shpejta dhe me kosto më të ulët. Prandaj dhe Banka e Shqipërisë nxit aplikimet e institucioneve financiare për t’u pajisur me licencën në fushën e bankingut të hapur me qëllim krijimin e më shumë vlere të shtuar për qytetarët shqiptarë në përditshmërinë e tyre financiare. Vlen të theksohet se operacionalizimi i open-banking është hapi i parë dhe thelbësor për funksionimin e financave të hapura (open-finance), e cila do të mundësojë digjitalizimin e kredidhënies, investimeve dhe shërbimeve të tjera financiare për klientët”, thekson BSH.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.