Ekonomi

Banka e Shqipërisë: Kostot e punës u rritën më ngadalë gjatë tremujorit të dytë të vitit

Nga Gazeta 'SI'- Banka e Shqipërisë vlerëson se paga në sektorin privat pati një rritje më të ngadaltë gjatë tremujorit të dytë të vitit, 6.9% nga 12.7% në tremujorin paraardhës.  

Ngadalësimi i normave të rritjes nominale të pagave është pasqyruar edhe në rritjen reale të saj, e cila zbriti në 4.8% në tremujorin e dytë, nga 10% në tremujorin paraardhës, shpjegon Banka e Shqipërisë.

Rrjedhimisht ky fenomen ka prekur edhe kostot e punës, që është rritur me vetëm 2.7% nga 7.8% në tremujorin e parë të vitit. Arsyeja e ngadalësimit lidhet me rritjen më të ngadaltë të pagës reale, kundrejt rritjes më të shpejtë të produktivitetit të punës.

Rritja e kostove të tjera prodhuese ka vazhduar të ngadalësohet gjatë tremujorit të dytë të vitit. Rritja e indeksit të çmimeve të prodhimit ishte 1.7% nga 2.8% në tremujorin e parë. Presionet rënëse u përcaktuan kryesisht nga ngadalësimi i çmimeve të prodhimit për tregun vendas ndërkohë që çmimet e prodhimit për eksport u ngadalësuan në mënyrë të moderuar. Së fundmi, indeksi i kushtimit në ndërtim shënoi një rritje vjetore prej 2.5% në tremujorin e dytë ose 0.9 pikë përqindjeje më poshtë se sa në tremujorin paraardhës.

Edhe pse statistikat konfirmojnë një ngadalësim të luhatjes së pagave, BSH vijon ta vlerësojë një faktor që mund të nxisë inflacionin. Të dhënat e punësimit vazhdojnë të jenë të padisponueshme për gjysmën e parë të vitit 2024, deklaron BSH në raportin e Politikës Monetare, por informacioni nga treguesit administrativë të tregut të punës dhe ata të tërthortë sugjerojnë për rritje të punësimit dhe vijim të kushteve të shtrënguara në tregun e punës.

Pritjet e agjentëve financiarë dhe të bizneseve për inflacionin janë ulur, ndërsa ato të konsumatorëve kanë mbetur pothuaj të pandryshuara në tremujorin e tretë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë