Ekonomi

Banka e Shqipërisë kërkon ngadalësim të kredive

Nga Gazeta 'SI'- Rritja e fortë e kredisë në vitet e fundit, më shumë se optimizëm po sjell shqetësim për autoritetin financiar qendror.

Banka e Shqipërisë, në deklaratën e raportit të stabilitetit thotë se ritmi i kredidhënies duhet të moderohet.

“Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 (më tej, “periudha”), veprimtaria e sistemit financiar vazhdoi ecurinë pozitive. Pavarësisht efektit pakësues të mbiçmimit të kursit të këmbimit, në sektorin bankar depozitat u zgjeruan dhe ritmi i rritjes së kredisë u përshpejtua. Rreziqet e veprimtarisë u paraqitën në nivele të kontrolluara, por ecuria në rritje e ciklit financiar ka nevojë të moderohet. Në tërësi rezistenca e veprimtarisë bankare ndaj rreziqeve ishte e mirë, në kushtet kur kapitalizimi i veprimtarisë mbeti i qëndrueshëm dhe fitimi vijoi të përmirësohej me ritme të kënaqshme”, thuhet në deklaratë.

Ky nuk është qëndrimi i vetëm i BSH-së mbi rritjen e shpejtë të huasë bankare. Në korrik të këtij viti, Banka aktivizoi normën shtesë kundërciklike të kapitalit, KUNC, që ka për qëllim të ngadalësojë kreditimin.

BSH përcaktoi se çdo bankë tregtare duhet të rrisë kapitalin e saj me 0.25% nga qershori i vitit të ardhshëm. Sipas definicionit të vetë Bankës, KUNC aktivizohet gjatë periudhave të rritjes së rrezikut sistemik, në këtë rast kreditimi i lartë, matur në raport me PBB-në .

BSH thotë se ky tregues është negativ, por madhësia e vlerës negative është zvogëluar. Hendeku i raportit të kredisë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ishte -7.2 pikë përqindje, nga -7.84 pikë përqindje që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm.

Burime nga Banka qendrore konfirmojnë se institucioni po punon për të riformuar ligjin e bankave dhe për të vendosur më shumë masa për kreditimin, si në masë ashtu edhe në vlerë.

Prej më shumë se një viti kredia bankare ka pasur një zgjerim të shpejtë, kryesisht drejt sektorit imobiliar dhe biznesit, por siç thekson BSH, një ecuri e tillë shoqërohet me rreziqe, që mund të lidhen me rënie të standardeve të kreditimit, rritjen e niveleve të përqendrimit të saj në sektorë apo tregje të caktuar, rritjen e niveleve të borxhit për agjentët e ekonomisë reale përtej niveleve të shëndetshme etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë