Para

Banka e Shqipërisë i hap rrugë licencimit të bankës digjitale JET Bank

Nga Gazeta ‘Si’- Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë i hapi sot rrugën licencimit në Shqipëri të bankës JET Bank.

Në bazë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të japë miratimin paraprak për licencimin e bankës JET Bank, për të ushtruar veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë.

Sipas njoftimit të Bankës së Shqipërisë, JET Bank synon të jetë banka e parë në Shqipëri që operon në mënyrë tërësisht digjitale, duke kombinuar një teknologji të avancuar me një model të thjeshtë, të sigurt dhe të përqendruar te klienti. Misioni i saj është të prezantojë një model të ri shërbimi financiar, të ndryshëm nga modelet tradicionale bankare.

Sipas ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, licencimi i bankës dhe i degës së bankës së huaj kalon në dy faza: miratimi paraprak i licencës dhe dhënia e licencës.

Ligji parashikon se, dega e bankës së huaj që ka marrë miratimin paraprak për licencë, brenda 12 muajve duhet të plotësojë të gjitha kushtet e parashikuara në ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, në mënyrë që të pajiset me licencën për fillimin e veprimtarisë bankare në vendin tonë.

Gjatë kësaj periudhe, JET Bank duhet të plotësojë kushtet kryesore për të mundësuar nisjen e aktivitetit të saj, duke filluar nga derdhja e kapitalit të kërkuar, punësimi i stafit të nevojshëm, krijimi i kushteve teknike dhe organizative për të kryer veprimtari bankare, duke përfshirë sigurimin e ambienteve ku do të ushtrohet veprimtaria, etj.

JET Bank është subjekti i dytë që merr miratimin paraprak nga Banka e Shqipërisë për të hyrë në tregun bankar, pas bankës turke Ziraat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë