Banka e Shqipërisë merr hua tek Banka Qendrore Europiane për të krijuar likuiditet në kohën e Covid-19.
Banka e Shqipërisë thotë se ka vlerësuar dhe theksuar se pandemia e COVID-19 e gjeti sistemin bankar shqiptar likuid dhe të mirëkapitalizuar. Kjo situatë e shëndetshme pritet të vijojë edhe në të ardhmen, por si një masë paraprake mbrojtëse, Banka e Shqipërisë ka siguruar dakordësinë e Bankës Qendrore Europiane (BQE) për tú mbështetur me likuiditet në euro nëpërmjet marrëveshjes REPO.
Marrëveshja REPO është një formë huamarrje me kolateral. Përmes saj, Banka e Shqipërisë, shet përkohësisht tek BQE tituj që i disponon, duke marrë përsipër t’i blejë ato në një kohë të dytë, sipas kushteve të rëna paraprakisht dakord me BQE-në.
“Likuiditeti i siguruar nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, do t’i vihet në dispozicion sistemit bankar shqiptar nëpërmjet Bankës së Shqipërisë. Ky instrument është një mjet mbrojtje rezervë, që mund të vihet në përdorim në rast se do të ketë një mosfunksionim normal të tregut për shkak të ndonjë goditje nga COVID-19. Kjo linjë REPO do të jetë në fuqi në deri në fund të muajit qershor 2021, për aq kohë sa nuk do të vendoset një zgjatje e afatit.”- thotë Banka e Shqipërisë.
Për ekspertin Elvin Meka kjo është një lëvizje e duhur e BSH-së.
“Gjykoj qe kjo masë është në vijim të krijimit të rrjetave të sigurisë për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e sektorit bankar në Shqipëri, veçanërisht në kushtet ku gjendet ekonomia globale dhe ajo kombëtare. Theksoj se është më mirë të parandalohen fenomenet apo efektet negative të situatave të pazakonta, që mund të krijohen në të ardhmen, sesa të luftohen apo kurohen ato.”- thotë Meka për gazetën “Si”.

Sipas tij, rregullatorët, përfshi këtu dhe Bankën e Shqipërisë, duhet të kenë gjithnjë kurajën dhe iniciativën të ndërmarrin hapa dhe masa, që kufizojnë efektet negative në sistem dhe ekonomi, shumë më përpara se ato të bëhen evidente, apo të japin goditjen e tyre.
Në këto kohë komplekse që po jetojmë dhe ne kushtet e vështira në të cilat gjendet bashkëpunimi dhe kohezioni ndërkombëtar, vijon mendimnin eksperti Meka, edhe për çështjet financiare, është bërë thuajse e detyrueshme marrja e çdo mase parandaluese, që do mund të evitonte, apo zbuste dëmet e mëdha që mund të shkaktoheshin në sistemin financiar. Marrja e masave parandaluese që ndihmojnë sigurimin e likuiditetit, kundra çdo skenari në të ardhmen, gjykon Meka, është përgjigja më e mirë dhe i shton vlerë shëndetit të sistemit financiar shqiptar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




