Para

Banka e Shqipërisë, gjatë verës tërhoqi nga tregu 595 mln euro për të ngadalësuar rënien e kursit

Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë periudhës së verës, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu 595.3 milionë euro, rreth 50% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Nga kjo sasi eurosh të blera, 108 milionë euro janë përdorur për rritjen e rezervës valutore, ndërsa pjesa tjetër ka pasur si qëllim stabilizimin e kursit të këmbimit. Paralelisht me këto ndërhyrje, kursi euro/lek gjatë kësaj periudhe mbeti praktikisht i “ngrirë” në intervalin 97–98 lekë.

Në total, nga janari deri në shtator 2025, Banka e Shqipërisë ka blerë mbi 825 milionë euro në tregun valutor.

Paralelisht, në periudhën korrik–shtator, Banka realizoi operacione injektimi të likuiditetit me një vlerë mesatare ditore prej 38 miliardë lekësh, një nivel pak më i ulët se në tremujorin paraardhës. Megjithatë, në një krahasim që merr parasysh efektet sezonale, mungesa e likuiditetit rezulton të ketë rënë me rreth 64%, duke reflektuar ndikimin e drejtpërdrejtë të blerjeve valutore në rritjen e ofertës monetare në lekë.

Sipas të dhënave, blerjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor kanë qenë faktori kryesor që ka kontribuar në uljen e mungesës së likuiditetit me rreth 63.66 miliardë lekë. Në të kundërt, rritja e parasë në qarkullim me 20.26 miliardë lekë, e përqendruar kryesisht gjatë muajve korrik–gusht, ka vepruar në drejtim të kundërt, duke zbutur pjesërisht efektin e ndërhyrjeve të Bankës.

Gjatë gjithë vitit 2025, euro ka shfaqur një lloj “imuniteti” artificial, i ndërtuar mbi ndërhyrjet e shpeshta të Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij viti banka qendrore ka tërhequr nga tregu rreth 800 milionë euro, me qëllim frenimin e zhvlerësimit të mëtejshëm të monedhës europiane.

Megjithatë, kjo strategji nuk është parë me sy pozitiv nga institucionet ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka theksuar vazhdimisht nevojën për një regjim të lirë këmbimi, pa ndërhyrje të vazhdueshme administrative, duke argumentuar se tregu duhet të reflektojë vetë balancat reale ekonomike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë