Para

Banka e Shqipërisë detyron bankat të tregojnë kursin e këmbimit në tërheqjet nga ATM apo pagesat me kartë

Nga Gazeta ‘SI’- Banka e Shqipërisë ka hedhur për konsultim disa ndryshime rregullatore për kursin e këmbimit në rastet e tërheqjeve të parave nga bankomati apo pagesat me kartë POS.

Banka qendrore i detyron bankat tregtare që të shprehin në përqindje (mark-up), diferencën mes kursit të këmbimit të aplikuar nga operatorët dhe kursit zyrtar më të fundit të publikuar nga Banka e Shqipërisë. Ky informacion duhet t’i bëhet i ditur klientit përpara se të iniciohet transaksioni i pagesës.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo masë synon të eliminojë praktikat ku kostoja e këmbimit fshihet pas shumës finale të debituar, duke i dhënë konsumatorit një pasqyrë të qartë mbi marzhin që po paguan.

Operatorët e pagesave do të duhet gjithashtu ta publikojnë këtë përqindje në platforma elektronike lehtësisht të aksesueshme, në mënyrë që klientët të mund të krahasojnë kostot mes ofruesve të ndryshëm të shërbimeve.

Projektrregullorja vendos detyrime të reja edhe për subjektet që ofrojnë këmbim valutor në ATM dhe në pikat e shitjes (POS). Përpara çdo transaksioni, klienti duhet të informohet qartë.

për shumën që do t’i paguhet përfituesit në monedhën e përdorur prej tij;

për shumën që do të debitohet nga llogaria e paguesit në monedhën e llogarisë.

Ky informacion duhet të shfaqet drejtpërdrejt në pajisjen ku kryhet transaksioni, duke reduktuar hapësirën për keqkuptime ose kosto të papritura.

Sipas projektrregullores, bankat do të jenë të detyruara t’u dërgojnë klientëve njoftime elektronike për pagesat ose tërheqjet në ATM të denominuara në lek, kur llogaria është në monedhë tjetër. Minimalisht, një njoftim i tillë duhet të dërgohet të paktën një herë në muaj.

Të gjitha informacionet mbi tarifat dhe kursin e këmbimit duhet të ofrohen falas, në mënyrë neutrale dhe të kuptueshme. Klientëve u njihet gjithashtu e drejta për të zgjedhur nëse dëshirojnë ose jo të marrin këto njoftime elektronike.

Vendimi parashikohet të hyjë në fuqi më 1 dhjetor 2027 dhe pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si konsumatorët informohen dhe mbrohen nga kostot e fshehura në këmbimet valutore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë