Para

Banka e Shqipërisë bleu më shumë euro gjatë verës dhe ‘hodhi’ më shumë lekë në treg

Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë sezonit veror, Banka e Shqipërisë bleu 270.5 mln euro duke e çuar shumën e blerë në total, 542 mln.

Banka thotë se përveç ankandeve ka pasur edhe blerje të tjera me qëllim “përmbushjen e objektivave të politikës monetare ose të stabilitetit financiar”.

Përballë forcimit të lekut, BSH raporton se gjatë të njëjtës kohë, ka kryer injektime mesatare ditore 59.49 miliardë lekë nga 44.55 miliardë lekë në tremujorin e mëparshëm.

Shtimin e sasisë së parave të blera dhe të injektuara, Banka e justifikon me arsyetimin se tregu kishte mungesë likuiditeti.

Veprimet e Bankës patën disi efekt në kursin e këmbimit gjatë verës, kur euro “ngriu” rreth vlerës 100 lekë, me luhatje të lehta. Me nisjen e vjeshtës, euro iu rikthye rënies duke prekur dhe nivelin e 98 lekëve.

Blerja e eurove dhe injektimi i lekëve janë të vetmet mekanizma që Banka e Shqipërisë mund të përdorë për stabilizimin e kursit, duke mos cënuar lirinë e tregut. Ndërhyrje të tjera të BSH-së në kursin valutor “do të hidhnin në erë ekonominë”, është shprehur më herët Guvernatori Gent Sejko.

Duke pranuar se kursi është diktuar edhe nga paraja informale, Sejko i bëri thirrje qeverisë nga foltorja e Kuvendit se “Banka e Shqipërisë do ta ketë të pamundur të mbajë një stabilitet në kurs”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë