Kosova

Banka e Kosovës kundër kriptomonedhave. Komisioni ekonomik: S’mund të ndalojmë aktivitetin

Në sistemin bankar të Kosovës është krijuar një përplasje mendimesh teksa zëvëndësguvernatori i Bankës Qendrore tha se kriptomonedhat kanë rrezikshmëri të lartë.

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ka mbajtur dëgjesën e parë publik mbi draftin “Projektligji për kriptovaluta”.  Anëtarët e Komisionit janë shprehur kundër ndalimit të kësaj veprimtarie.

Deputetja e VV, Mimoza Kusari-Lila tha se shteti duhet të ketë informacion në lidhje me këtë inovacion, por jo me qëllimin që të cenohet ky aktivitet.

“Rreziqet e mëdha mund të sjellin përfitime të mëdha. Në anën tjetër nuk ka një mekanizëm, i cili garanton qëndrueshmërinë dhe garanton mbi stabilitetin apo kontinuitetin e ekzistencës së këtyre aseteve. Luhatjet tejet të larta mund të sjellin humbje të parikuperueshme. Si BQK kemi vlerësuar që bartin rrezikshmëri të lartë, për arsye se deri më tani të gjitha zhvillimet në kontekstin e kripto-aseteve kanë qenë vetëm subjekt i spekulimeve dhe jo i ndërtimit të një baze të asaj që quhet vlera përbërëse i një aseti”,-u shpreh zëvëndëguvernatori Sokol Havolli.

Ndërsa, drejtori i Këshillit të Investitorëve Europian, Emrush Ujkani, tha se rekomandojnë që të bëhet një draft në përputhje me standardet e BE-së.

Inxhinieri Ermal Sadiku në seancën dëgjimore është shprehur pse rreziku ekziston te mungesa e informacionit të qytetarëve dhe menaxhimit të situatës me to.

“Kam pasur raste kur më kanë ndal njerëzit në rrugë edhe më kanë thënë ‘Ermal, e kemi shit veturën, e kemi shit këtë edhe e kemi shti, por i humbëm krejt, duke të dëgjuar ty. Po më duket se ata nuk më dëgjonin, po më shikonin që është gabim. Unë kurrë nuk i kam thënë dikujt të investojë në kriptovaluta, nuk i them as sot”, shtoi ai.

Kosova para pak javësh hodhi për shqyrtim projektligjin që do të legjitimonte kriptomonedhat në vend. Ndërkohë, në qarkullim është Kosovacoin, kriptomonedha e parë kosovare e krijuar nga disa djem nga i njëjti vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë