Banka Botërore ka nxjerrë sot raportin ekonomik të pranverës për vitin 2020 të impaktit ekonomik dhe social të COVID-19 në ballkanin perëndimor.
Në këtë raport Banka Botërore shpreh se të gjitha vendeve të ballkanit perëndimor do i’u goditet tregtia. Ato do të pësojnë një kombinim të shokut si në pjesën e ofertës, kryesisht prej ndërprerjeve të zinxhirëve të furnizimit, ashtu dhe në pjesën e kërkesës si rezultat i reçesionit ekonomik të partnerëve kryesorë me të cilat këto vende kanë marrdhënie të ngushta tregtare.
Në Shqipëri, Mal të Zi, dhe Kosovë duke qënë se sektori i shërbimeve luan një rol kryesor në ekonominë e këtyre vendeve, e më së shumti falë turizmit pritet që pandemia të ketë një efekt negativ shumë të rëndë. Ndërkohë, krahas shërbimit të turizmit, aktiviteti në sektorët e tjerë të shërbimeve si ushqimi e argëtimi gjithashtu ka për t’u tkurrur. Sipas raportit të Bankës Botërore, “duke qënë se koha në të cilën kriza e koronavirusit ka vazhduar ka qënë gjer në hyrje të sezonit turistik pritet që një masë e madhe investimesh të humbasë, duke qënë se zakonisht ato realizohen përpara çeljes së sezonit”.
Shqipëria së bashku me Kosovën dhe Malin e Zi pritet që të shohin rritjen më të madhe në defiçitin e llogarisë korrente, si rezultat i varësisë së fortë nga turizmi.
Më e prekura nga të tre këto shtete, sipas BB, do të jetë Shqipëria me defiçit në llogarinë korrente (në anglisht me termin current account deficit) që pritet të shkojë në 12 % të PBB-së gjatë 2020-ës, ose 4.3 pikë përqind më shumë se në vitin 2019. Kjo nuk do të rezultoje veçse prej të ardhurave më të vogla nga turizmi e pasojave të shkaktuara nga tërmeti, por edhe prej uljes së eksporteve dhe prodhimit vendas. Nga vendet e Ballkanit, Shqipëria është vendi më tepër i varur nga Italia. Rreth gjysma e eksporteve shqiptare kanë si destinacion Italinë.
Raporti përmend gjithashtu që pritet një rënie e remitancave si pasojë e krizës së COVID-19 e cila do ta shtojë presionin mbi llogarinë korrente. Për shumicën e vendeve të ballkanit perëndimor remitancat përbëjnë burimin më esencial në financimin e defiçitit tregtar. Duke qënë se ekonomitë e Austrisë, Gjermanisë, Greqisë, Italisë dhe Zvircës janë goditur më rëndë nga koronavirusi e po nga këto vende burojnë kryesisht remitancat e rajonit të ballkanit perëndimor, pritet që efekti të jetë i konsiderueshëm. Remitancat në këtë rajon pritet që të bien, e mesatarisht të zejnë rreth 0.5% të PBB-së në vlerë.
Investimet e Huaja Direkte janë një tjetër fushë në këtë rajon që priten të goditen. IHD-të priten që të bien me 1.5 pikë përqind në vitin 2020 krahasuar me vitin paraardhës e kjo do të ndikojë aftësinë e këtyre vendeve për të financuar llogaritë korrente. Sipas Bankës Botërore, investimet e huaja direkte, në këtë rajon, kanë shkuar më së shumti në industrinë e automobilave, materialeve bazike, pajisjeve elektrike dhe turizmit. Vendet në të cilat impakti do të jetë më i lartë krahasuar me 2019-n janë Mali i Zi, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut në të cilat rëniet nga Investimet e Huaja Direkte priten që të bien respektivisht me 4pp, 3pp dhe 1.2 pp. Vendet në të cilat pritet që të ketë rënie më të vogël të Investimeve të Huaja Direkte janë Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovinës, ndërsa Kosova do jetë vendi i vetëm i cili nuk do të ketë rënie të IHD-ve.
Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.