Banka Botërore synon të rrisë mundësitë e punësimit online të grave në Shqipëri me anë të nismës “Digital Jobs Albania”.
Kjo nismë ofron kurse intensive trajnimi 3-mujore për aftësitë digjitale të vajzave dhe grave në vendin tonë nga 16-35 vjeç. Programi përmban njohuri të nevojshme në profesionet e grafik dizajnit, programues web dhe digjital marketing.
Nisma “Digital Jobs Albania”, e zbatuar në partneritet me Qeverinë e Shqipërisë, Coderstrust (një kompani ndërkombëtare që ofron trajnim mbi aftësitë digjitale) dhe EuroPartners Development (një kompani konsulente vendase), do të ofrojë një program trajnimi online për të pajisur pjesëmarrësit e përzgjedhur me aftësi teknike të kërkuara nga tregu i punës. Nisma gjithashtu do të sigurojë mentorim për pjesëmarrësit dhe do t’i ndihmojë ata të zhvillojnë aftësitë e duhura për të konkurruar me sukses për projekte pune në faqet e internetit të profesioneve.
Qëllimi i BB-së është të lidhë gratë shqiptare me tregun global ekonomik.
Gjë që tashmë në fakt ishte në zhvillim që më parë, ku vajza të reja nga Shqipëria janë punësuar online në platforma si Upwork, Fiverr dhe People Per Hour.
Në Shqipëri shkalla e pjesëmarrjes së grave në forcën e punës është ende i ulët, ndërsa hendeku gjinor me burrat është shumë më i lartë. Puna online mund të ulë këtë hendek, vetëm nëse ajo regjistrohet si e tillë.
“Kjo nismë ofron një mundësi shumë të mirë për gratë shqiptare për të përfituar njohuri digjitale dhe për t’u bërë pjesë e ekonomisë online – një model për të nxitur projekte të ardhshme në këtë fushë,” thotë Emanuel Salinas, Menaxher i Bankës Botërore për Shqipërinë. “Askush nuk duhet të mbetet mbrapa në transformimin e vazhdueshëm digjital.”
Nisma është pjesë e angazhimit më të gjerë të Bankës Botërore në Shqipëri për të ndihmuar vendin të shfrytëzojë mundësitë ekonomike që lidhen me tregtinë digjitale të mallrave dhe shërbimeve.
“Shqipëria e ka njohur rëndësinë e tregjeve digjitale si një mundësi për zhvillimin ekonomik të vendit. Ne kemi mobilizuar një ekip përfaqësues nga Banka Botërore për të mbështur këtë përpjekje përmes kësaj nisme të re dhe të tjerave në të ardhmen,” u shpreh Christoph Ungerer, drejtues i ekipit të Bankës Botërore për Projektin e Tregtisë Digjitale në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




