Nga Gazeta ‘SI’- Një analizë e fundit e Bankës Botërore, gjen se norma e akcizës për cigaret dhe alkoolin nuk e ka reduktuar konsumin e këtyre lëndëve në Shqipëri dhe as Ballkan.
Banka nënvizon, se rritja e të ardhurave por jo e taksave në fakt i ka bërë më të përballueshme produktet e dëmshme si alkooli dhe duhani. Kjo, sjell kosto ekonomike tepër të mëdha për vendet e Ballkanit, si në shëndet por edhe në reduktimin e forcës së punës.
Sipas grafikut, Shqipëria është vendi i dytë pas Bosnjës ku ka më shumë konsumues të rinj të duhanit, 20% djem dhe 15% vajza.
BB sugjeron rritje të akcizës për këto produkte për të rritur të ardhurat e qeverisë dhe për të përmirësuar shëndetin publik.
Në një skenar të supozuar, Banka parashikon që për një rritje të akcizës së duhanit me 5% në Shqipëri, konsumi do të ulet me 1.2% dhe të ardhurat do të rriten me 4%. Do të mund të parandalohen 2.300 vdekje të parakohëshme

Banka përllogarit se Shqipërisë i duhen 10 vite për të arritur nivelin e akcizave që ka BE-ja, 90 euro për 1.000 cigare.
Duke theksuar se Shqipëria i përmbush kriteret europiane të taksës mbi alkoolin, BB thekson se vendet e tjera të Ballkanit duhet të rrisin taksat.
Banka kërkon taksë shtesë edhe për pijet me sheqer, si faktorë të një diete të pashëndetshme për qytetarët ballkanas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.