Sabina Veizaj- Banania, fruti ekzotik me shije të çuditshme për shqiptarët në fillim të viteve '90, kur u njohën me të, u kthye në Shqipëri në një nga bizneset më të përhapura dhe fitimprurëse.
Aktualisht tregun e bananeve në vend e ndajnë 47 kompani.
Sipas doganave shqiptare, në 10 vitet e fundit importi i bananeve në Shqipëri kap vlerën e 18 miliard lekëve . E shprehur në sasi, në Shqipëri kanë hyrë 218 mln kg banane në 10 vitet e fundit.
Viti 2017 rezulton me importin më të madh të frutit ekzotik me mbi 2 mld lekë ose 25 mln kg banane. Vetëm në gjashtë mujorin e parë të 2018-ës sipas doganave janë importuar 1 mld e gjysëm lekë banane.
Shqiptarët përafërsisht konsumojnë 8 kg banane për frymë në vit, ndërsa mesatarja botërore është 12 kg për frymë. Krahasuar me vendet e rajonit, konsumi i bananes për frymë është ndër më të lartët në rajon.
Në tregun me pakicë një kg banane varion nga 120 lekë deri në 200 lekë për kg.
Sipas të dhënave të Doganës, origjina e bananeve të hyra në Shqipëri është; Kolumbia, Ekuadori, Meksika, etj.
Nga importi i bananeve në arkën e shtetit përmes detyrimeve doganore kanë hyrë në 10 vitet e fundit gati 6 mld lekë.
Tregu global i bananeve
Industria e bananeve është një pjesë e rëndësishme e agrobiznesit industrial botëror.
Shumica e bananeve shkojnë për eksport dhe tregti ndërkombëtare për konsum në vendet perëndimore. Bananet rriten në plantacione kryesisht në Amerikën Latine dhe Karaibe, si dhe në Amerikën Qëndrore dhe Jugore.
India fiton vendin e parë për prodhimin e numrit më të madh të bananeve me 27,575,000 ton. Ajo pasohet nga Kina (kontinent) me 12,075,238 ton. Filipinet qëndrojnë në vendin e tretë me 8,645,749 ton prodhime.
Eksportet e bananeve sipas vendit arritën në 12.4 miliardë dollarë në vitin 2017, duke u rritur mesatarisht 22.3% për të gjithë transportuesit e bananeve gjatë periudhës pesëvjeçare prej 2013-ës kur dërgesat e bananeve u vlerësuan në 10.1 miliardë dollarë. Vit pas viti, vlera e eksporteve globale të bananeve arriti në 14.8% nga 2016 në 2017.
Nga një perspektivë kontinentale, Amerika Latine (me përjashtim të Meksikës) plus Karaibet përbënin vlerën më të lartë në dollar të eksporteve të bananeve në vitin 2017 nëpërmjet dërgesave në vlerë prej 7.2 miliardë dollarësh ose 58.5% të shitjeve ndërkombëtare të bananeve.
Eksportuesit europianë ishin përgjegjës për 21% të totalit të eksportuar të bananeve, pasuar nga transportuesit aziatikë me 7.4%. Vendet afrikane furnizuan me banana 6.6% në nivel global, pasuar nga eksportuesit e Amerikës Veriore me 5.6%.
Importi global i bananeve arriti në 15.3 miliardë dollarë në 2017
Në përgjithësi, vlera e importeve të bananeve për të gjitha vendet importuese u rrit me një mesatare prej 5.1% që nga 2013 kur blerjet ndërkombëtare të bananeve u vlerësuan në 14.6 miliardë dollarë. Nga 2016 deri në 2017, bananet e importuara u vlerësuan me 3.8%.
Nga një perspektivë kontinentale, kombet europiane përbënin vlerën më të lartë në dollar të bananeve të importuara gjatë vitit 2017 me vlerë 8.8 miliardë dollarë ose 57.3% të totalit global. Në vendin e dytë ishin importuesit e Amerikës së Veriut në 20.7%, ndërsa 18.1% të importeve të bananeve në mbarë botën u dërguan në vendet aziatike.
Një përqindje shumë më e vogël e bananeve të importuara janë blerë nga Afrika (0.9%) dhe Oqeani (0.5%).
Çmimet në tregjet vendase po rriten. Për shkak të faktorëve të ndryshëm, duke përfshirë përmbytjet, goditjet dhe motin e ftohtë, furnizimi nga vendet që prodhojnë më shumë banane në Amerikën Latine ka qenë i ulët në muajt e parë të 2017-ës. Sipas raporteve, kultivuesit preferojnë të mos përmbushin kontratat dhe të përfitojnë nga çmimet e larta në tregun vendas. Importuesit europianë që blejnë në këto tregje vendore nuk janë me fat. Çmimet e larta që duhet të paguhen për bananet e gjelbëra e bëjnë të vështirë fitimin nga bananet e verdha.
1,27 dollar/kg është regjistrua çmimi i bananeve në shkurt 2018, çmimi më i lartë i këtij fruti në gjashtë muajt e parë të vitit.
Nga plantacioni tek shitjet me pakicë
Katër kompanitë e mëdha multinacionale të bananeve: Chiquita, Del Monte, Dole dhe Fyffes, së bashku me Noboa janë të integruar vertikalisht në zinxhirin e tregut global të bananeve. Ato e strukturojnë furnizimin e bananeve në tregun botëror. Kjo do të thotë që ato zotërojnë ose kontraktojnë plantacionet, transportin detar dhe objektet e pjekjes, dhe kanë rrjetet e tyre të shpërndarjes në vendet që konsumojnë (mbi të gjitha në Shtetet e Bashkuara). Kjo u jep atyre një ekonomi të konsiderueshme të shkallës dhe ata mund të shesin banane në tregjet e Veriut me një çmim shumë të ulët. Këto kompani tentojnë të riatdhesojnë fitimet në vendet e tyre të origjinës. Sipas shifrave nga instituti hulumtues francez CIRAD, vetëm 12% e çmimit përfundimtar të shitjes me pakicë qëndron në vendet prodhuese. Një përqindje edhe më e vogël shkon për fermerët e vegjël (5-7 për qind) ose për punëtorët e plantacioneve (1-3 për qind).
Pjesa e kombinuar e tregut nga katër kompanitë më të mëdha ka qenë në nivelin më të lartë në vitet 1980, kur kontrollonin pothuajse dy të tretat (65.3%) të eksporteve globale të bananeve dhe përqindja ka rënë gradualisht që prej asaj kohe. Në vitin 2013, pjesëmarrja në treg e pesë kompanive të para ishte 44.4%, nga 70% në vitin 2002. Si pasojë, kompanitë e tjera tani përbëjnë më shumë se gjysmën e të gjitha eksporteve.
Bananet janë të pasura me antioksidantë, magnez dhe vitaminë C. Elementët e tjerë ushqyes që gjenden tek fruti janë vitamina B6, proteina, fibra dietike, riboflavina, niacina, hekuri etj. Ky frut është i mirë për shëndetin e zemrës. Ajo gjithashtu ndihmon në trajtimin e depresionit pasi është e pasur me magnez, i cili ndihmon në relaksimin e muskujve dhe Vitamina B6 ndihmon për të fjetur mirë. Përfitime të tjera të dobishme nga konsumi i bananeve është humbja e peshës, përmirësimi i tretjes, kockat më të forta etj.
Burimet: Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, www.worldatlas.com, FAO, FreshPlaza
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.