Drejtësia

Arkat me banane u zhdukën gjatë natës me vetëm 1 roje në turn. Burg për 8 nga 20 të ndaluarit

Gazeta Si - Rreth 50 arkat me banane që mungonin nga porosia me 1.200 kuti dhe që dyshohet se kanë pasur kokainë, janë hapur gjatë qëndrimit në port në turnin e natës.

Shkeljet e gjetura nga Prokuroria e Durrësit nga ana e administratës së portit, janë të shumta.

Ndërkohë, këtë të martë, Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 8 nga 20 të arrestuarit, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre. Ndërsa të dyshuarit e tjerë do të hetohen në gjendje të lirë.

Kontejneri dyshohet se është hapur natën mes 13 dhe 14 korrikut, ku janë marrë arkat me banane me mbishkrimin “jumbo bana king”, të cilat janë zhdukur.

Pikërisht atë natë, zyrtarët e sigurisë në port kanë caktuar vetëm një punonjës shërbimi roje nga dy që duhej të ishin në vëzhgim sipas rregullores.

Denoncimi i ngjarjes që besohet se lidhet me trafikun e kokainës është bërë nga autoriteti portual i Durrësit që ka konstatuar heqjen e plumbçeve të sigurisë së kontejnerit gjatë kohës që ai ishte në mbikëqyrje dhe kontroll në port në vendin ku ruhen kontejnerët.

Pas hapjes së kontejnerit, është konstatuar se në dokumentacionin shoqërues ishin shkruar 1200 kuti banane me mbishkrimin “jumbo bana king” të ndara në 6 rreshta. Gjatë kontrollit është konstatuar se rreshtat e mesit kishin mungesë dhe zhvendosje të disa kutive ku mungonin 49 prej tyre.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë është konstatuar se nga 8 korriku deri në 16 korrik, gjatë orëve të natës janë hequr një sasi prej 49 kuti me banane.

Pas konstatimit të ngjarjes, policia gjyqësore ka sekuestruar praktikën dhe ka bërë këqyrjen e dokumenteve ku ka rezultuar se në kontejner ishin 1151 kuti dhe jon 1200 kuti me banane që duhej të ishin në kontejner sipas dokumentacionit të dorëzuar në momentin e mbërritjes dhe shkarkimit të kontejnerit në portin e Durrësit.

Ndërkohë, të akuzuarit kanë ohuar çdo akuzë në Gjyatën e Durrësit, e cila ka kërkuar masë sigurie me burg për 8 nga 20 të ndaluarit.

Konkretisht për Gentian Halilin, operator i kompanisë  Mariner, Rajd Bletën, punonjës i FSP, Gjergj Doraci, FSP, Shefqet Elezin, Profit Tola, Skënder Plaku, FSP, si dhe Altin Muhametaj dhe Nazmi Allgjata, punëtorë te kompanisë ”Zico” sh.a.

Për Armand Murataj, Adi Qevanaj, Shpëtim Hajdinin, Adem Brasha, Veis Kucin dhe Jurgen Gjecci akuza kërkoi pezullim nga ushtrimi i detyrës a shërbimit publik dhe detyrim paraqitjeje në policinë gjyqësore.

Ndërkohë për shtetasit Azgan Zeka, Kastriot Duccka, Mentor Dyrmishi, Ali Bajrami, Klaudio Lala dhe Andrea Xhavara u kërkua vetëm masa e sigurisë ”detyrim paraqitjeje”. “Asnjëri nuk ka pranuar gjë, sepse nuk ka lidhje direkte. Nëse do të kishin, atëherë do të kishim veprën penale të bashkëpunimit, o në kontrabandë, se nuk mund të themi trafik lëndësh narkotike, kur ti nuk ke lëndë narkotike të kapur, nëse do kishte lëndë të kapur do kishim këtu, përgjegjësinë e institucioneve përkatëse, antidrogës dhe policisë kufitare. Riskun nuk e vlerësojnë punëtorët, por strukturat përkatëse, ka një grup kontrabande që vlerëson riskun. Janë dogana dhe sektori antitrafik që vlerësojnë riskun, përgjegjësia nuk I takon fakirëve”, - deklaroi një prej avokatëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë